Prishtinë

Në Prishtinë edhe nënkalimet janë të pakalueshme, kritikohet ashpër Shpend Ahmeti

Komuna e Prishtinës po vazhdon të përballet me probleme nga më të ndryshmet të cilave sipas disa qytetarëve, zyrtarët komunal nuk po janë në gjendje t’iu bëjnë ballë.

Javë më parë ishte raportuar për përmbysje të garazhave të disa banesave në lagjen Mati 1 si pasojë e neglizhencës së Komunës dhe gabimeve që ishin bërë gjatë sistemimit të gypave të kanalizimit.

Ditën e sotme, një tjetër qytetar ka postuar një fotografi ku shihet nënkalimi në lagjen Emshir të Prishtinës i mbushur me ujë nga reshjet e shiut prej ditës së djeshme.

Ky nënkalim, si pika e vetme ku qytetarët e kësaj lagje mund ta përdorin për të kaluar rrugën, është bërë i pakalueshëm, përcjell Ballkani.info.

“Ndoshta ky problem nuk është nacional dhe nuk meriton vëmendjen e drejtorëve Komunal” ka shkruar qytetari në profilin e tij në Facebook.

Një tjetër qytetare ka postuar një fotografi të një kioske të braktisur e cila shihet në gjendje të mjerueshme afër Katedralës në Prishtinë.

“Momenti kur të bëhet qejfi se sheh një bredh të stolisur për festat e fundvitit, por pastaj të del tmerri para syve” ka shkruar qytetarja. /Ballkani.info/