Jo më larg se dje në Spanjë u bë temë diskutimi lajmi se Piatek kishte shfaqur dëshirën e tij për të shkuar te Real Madrid që në janar.
Në lidhje me këtë u zbulua se lojtari dhe drejtuesit e “Los Blancos” janë takuar në Murcia, atje ku Genoa po zhvillon fazën përgaditore.
Të detyruar nga kjo situatë te Milan kanë filluar të kërkojnë një alternativë tjetër, pasi kuqezinjtë e kthyen polakun në prioritet për të zënë vendin e Gonzalo Higuain, i cili e ka shprehur qartë vullnetin për t’u larguar drejt Chelseas.
Së fundi u zbulua se “Djalli” është vënë pas Radamel Falcao, i cili aktivizohet me skuadrën e Monacos në Francë. Klubi nga principata po kalon një sezon të vështirë duke u vërtitur mes vendeve të fundit dhe kolumbiani mund të kërkojë të largohet për në Itali.
Duke qenë se sulmuesi është thuajse 33 vjeç dhe me kontratën që i skadon në vitin 2020, Monaco mund ta lërë të largohet për 15-20 milionë euro, por më parë duhet të sigurojë shërbimet e një sulmuesi. Në krye të listës për ta është Kalinic, për të cilin janë vënë në lëvizje.







