Xhafer Gashi

Në Obiliq ka nisur zbatimi i pjesshëm i ligjit që e kthen vëmendjen e investimet në qytet

​Ligji për Obiliqin i cili u miratua dy vite më parë, pjesërisht ka filluar të implementohet. Nga ky ligj banorët e kësaj komune po përfitojnë të mira të mëdha thotë kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Në një intervistë për KosovaPress Gashi deklaron se nga ky ligj qytetarët po përfitojnë edhe në aspektin ekonomik edhe atë shëndetësor. Ai bën të ditur se në kornizën e dytë buxhetore, Qeveria e Kosovës për implementimin e ligjit ka ndarë një vlerë buxhetore prej 4 milionë e 974 mijë eurosh.

“Implementimi i tij ka filluar pjesërisht në ato pika apo nene ku ka sqarime të mjaftueshme dhe që është duke u implemntuar, është fat i mirë shumë për qytetarët e Obiliqit që në kornizën e dytë buxhetore ne e kemi marr njoftimin nga ministria e Financave që ligji tanimë pritet të buxhetohet nga janari, nga viti 2019 dhe qytetarët e Obiliqit do të përfitojnë një vlerë të buxhetit nga 4 milionë e 975 mijë euro, mjete për investime kapitale të cilat do krijojnë mundësi reja për qytetarët”, thotë Gashi.

I pari i kësaj komune, ka treguar se ku kanë plan t’i investojnë fondet e përfituara nga Qeveria për implementimin e ligjit për Obiliqin.

“Katër milionë i kemi ndarë për projekte kapitale, pastaj janë 67 mijë euro që janë të ndara për subvencione në këtë rast përfitojnë edhe shkollat, studentët… 300 mijë euro do i subvencionojmë për uljen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Obiliqit dhe janë 150 mijë në bujqësi, në shëndetësi është rritur vlera në 70 mijë për me mundur me i ndihmua sëmundjet respiratore kancerogjene, në sport kulturë janë 70 mijë euro”, shprehet ai.

Obiliqi, i cili njihet edhe për ndotjen e madhe për shkak të termocentraleve që veprojnë në këtë qytet, si duket do ketë një ambient më të pastër, pasi që Gashi pohoi se gjysma e buxhetit për investime kapitale do investohet në ambient.

Ndërsa, ashtu siç e parasheh ligji për Obiliqin ai thotë se kanë paraparë edhe blerjen e një laboratori i cili bënë matjen e ajrit, ujit dhe tokës.

“Në ambient janë ndarë nga kjo linje 480 mijë euro për krijimin e zonave të gjelbra, parqe gjithashtu është një laborator për matjen e ajrit, tokë, ujit dhe zhurmave që gjithashtu është e saktësuar në ligjin për Obiliqin dhe janë ndarë mjetet diku 350 mijë… pastaj do ketë edhe çështja e burimeve njerëzore sepse për të mundur për tu implementuar projektin e laboratorit neve na duhen edhe ekspert në këtë drejtim që do merren me këtë çështje, pastaj është një kompani që do krijohet publike për krijimin e zonave të gjelbra dhe trajtimin e tyre, pothuajse gjysma e buxhetit për investime kapitale në fazën e parë në 2019 do jetë e dedikuar për ambientin”, deklaron i pari i Obiliqit.

Sa i përket planit dinamik për zhvendosjen e popullatës nga zonat të cila nuk i plotësojnë kushtet për jetesë, kryetari i Obiliqit tha se edhe këtë aspekt e kanë të planifikuar. Sipas tij, kanë planifikuar ndërtimin e objekteve dhe shtëpive sociale me qëllim të krijimit të jetës më të mirë.

“Ne planet i kemi të hartuara në vazhdimësi tash edhe me strategjinë socio-ekonomike e kemi të planifikuar ndërtimin edhe të objekteve sociale por edhe të shtëpive, ata që kanë prona për me iu krijua mundësi që mos me u zhvendosur prej fshatrave edhe me e pas mundësi zhvillimin e jetës më të mirë do të ndërtojmë shtëpi, kurse për këta që janë në qytet do të krijohet mundësi për ndërtimin e disa objekteve sociale”, thotë ai.

Ndryshe, ligji për Obiliqin u hartua nga Lëvizja për Bashkim dhe mori miratimin nga deputetët e Kuvendit Kosovës në vitin 2016, që parasheh që ky qytet të ketë trajtim të veçantë si zonë me status të veçantë mjedisor.

Komuna e Obiliqit dhe banorët e saj përveç ballafaqimit me ndotje të madhe, përballen edhe me problemin e zhvendosjes së banorëve nga zonat që konsiderohen se janë të pasura me thëngjill.