Lojërat Olimpike

Në një tren në Francë vidhet çanta me planet policore të sigurisë për Lojërat Olimpike të Parisit

Një çantë, në të cilën ndodheshin një lap-top dhe dy USB me plane të policisë për sigurinë gjatë Lojërave Olimpike të Parisit, është vjedhur nga një tren në stacionin “Gare du Nord” të kryeqytetit francez.

Çanta i përkiste një inxhinieri të ndërtesës komunale të Parisit, tha policia të martën vonë, duke konfirmuar një raportim të televizionit BFM dhe duke shtuar se ai e kishte vendosur çantën në pjesën e bagazhit mbi ulësen e tij, raporton gazeta “The Guardian”.

Inxhinieri tha se lap-topi i tij i punës dhe dy USB-të përmbanin të dhëna të ndjeshme, sidomos planet e policisë komunale për sigurimin e Lojërave Olimpike të kësaj vere.

Policia rajonale e transportit është duke zhvilluar një hetim për këtë rast. Komuna e Parisit nuk qe menjëherë e qasshme për të komentuar, kur u kontaktua nga agjencia AFP.

Dy mijë policë komunalë dhe rreth 35 mijë anëtarë të personelit të sigurisë do të angazhohen gjatë Lojërave Olimpike, të cilat do të mbahen nga 26 korriku deri më 11 gusht.

Parisi ka qenë skenë e sulmeve të gjera, si ai në Bataclan më 2015, kur disa sulmues ekstremistë ishin futur në një sallë muzikore dhe kishin shtënë me armë nëpër kafene, duke vrarë 130 njerëz.

VIDEO BONUS: “Mos u bë dallaverexhi”, “S’ka më skandale me 53 milionë euro”, përplasje mes Thaçit e Bytyqit