Në ndeshjen kundër Anglisë një person mund t’i blejë vetëm dy bileta

Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur ta bëjë një ndryshim në shitjen e biletave për ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2020 të Kosovës, kundër kombëtares gjigante të Anglisë muajin e ardhshëm duke mos ia shitur më shumë se dy bileta një personi të vetëm, në përpjekje për t’u dhënë mundësi sa më shumë njerëzve të pajisen me biletë, ka zbuluar për Gazetën Express shefi i futbollit kosovar, Agim Ademi.

Një person mund t’i blejë dy bileta në maksimum dhe jo tri si deri tani, ka konfirmuar Ademi.

Kosova e mbyll fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2020 si nikoqire e Anglisë më 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një takim i cili me gjasë do të jetë përcaktues për fatin e verdhekaltërve për një vend në evropian, varësisht sesi do të rrjedhë ndeshja e parafundit tri ditë më herët kundër Republikës së Çekisë në Pilsen.

Dhe interesimi për ndeshjen ndaj anglezëve pritet të jenë më i madhi deri tani nga tifozët dardanë.

Prandaj, kryetari i FFK-së Ademi thotë se organi qeverisës i futbollit në vend ka vendosur ta ulë numrin e biletave maksimale që një person mund t’i blejë, në përpjekje për t’u dhënë mundësi sa më shumë personave të ndryshëm të blejnë bileta.

“Në tentim për t’u dhënë mundësi sa më shumë njerëzve të shikojnë ndeshjen nga stadiumi “Fadil Vokrri”, ne kemi vendosur që një person mund t’i blejë në maksimum dy bileta dhe jo tri si deri tani”, ka thënë Ademi për Express.

Ai thotë se i vjen keq që shumë persona nuk ia dalin ta shohin Kombëtaren dardane nga afër, për shkak se stadiumi “Fadil Vokrri” nuk i zë më shumë se 13 mijë veta.

Ai zbuloi, po ashtu, se FFK-ja e ka në plan ta zgjerojë stadiumin në mënyrë që ta rrisë numrin e ulëseve.

“Unë ndihem keq që nuk po mund t’ua plotësojmë kërkesat të gjithëve për ta parë ndeshjen, për shkak të kapacitetit të vogël të stadiumit, prandaj e kemi në plan ta rrisim numrin e ulëseve”, shtoi ai

Që prej kur Kosova nisi t’i zhvillojë ndeshjet një vjet më parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, interesimi për t’i parë ndeshjet aty nga tifozët ka qenë jashtëzakonisht i madh.

Shpesh ka pasur mbi 100 mijë kërkesat për rreth 13 mijë ulëse për ndeshjet e Kosovës në shtëpi.

Çështja e biletave ka nxitur edhe pakënaqësi në mesin e qytetarëve, të cilët ankohen se po u bëhet e padrejtë gjatë shitjes së tyre online për shkak se ato shiten brenda minutash dhe shpesh dalin në tregun e zi me çmime tejet të majme.

Për këtë Prokuroria e Shtetit ka filluar një hetim për ta verifikuar mënyrën e dyshimtë të shitjes së biletave.

loading…