Në moshën 35-vjeçare, Behrami provon emocionet e një derbi tjetër të madh

Mesfushori luftarak, Valon Behrami, është futbollisti që ia pati siguruar skuadrës së Lazios fitoren historike ndaj Romës në derbin e kryeqytetit të Italisë para 12 vjetësh. Dhe tani te skuadra e Genoas po shpresojnë që Behrami t’i ndihmojë për ta fituar derbin e qytetit ndaj Sampdorias, që luhet të dielën mbrëma (20:45) në kuadër të xhiros së gjashtë të Serie A.

Për Behramin, që ka një karrierë të pasur në futbollin evropian, do të jetë hera e parë që do të luajë në derbin e qytetit të Genoas, të cilin shpreson ta fitojë sikurse atë të Romës para shumë vjetëve. Ky derbi në Itali njihet si “Derby della Lanterna” dhe luhet në “Stadio Luigi Ferraris”, që e ndajnë dy ekipet. Është derbi më i vjetër i futbollit italian, që për herë të parë është luajtur në vitin 1902.

“Pata shënuar golin e fitores për rezultatin 3:2 në të mirë të Lazios dhe kur shkojë në Romë ende e kujtojnë atë gol të minutës së 92-të. Por, unë nuk kam dëshirë të jetoj me kujtimet, pasi gjithmonë shikoj përpara. Dhe, tani e shoh një derbi tjetër, atë të Genoas, në të cilin ende nuk e kam pasur rastin të luaj dhe po e pres me padurim”, ka thënë Behrami në një intervistë për “IlsecoloXIX”.

“Në korrik, në derbin e edicionit të shkuar isha në tribuna duke vuajtur nga lëndimi dhe për Genoan ishte një ndeshje jetike, të cilën e fitoi për të mbetur në Serie A. Tani synojmë që ta fitojmë sërish”.

Edhe pse ende nuk e ka shijuar derbin e qytetit te Genoas, Behrami thotë se di shumë për të. Ai te skuadra e Genoas u transferua në janar si futbollist i lirë dhe ka kontratë deri në fund të këtij edicioni. Behrami ka folur edhe për shumë derbi që i ka luajtur gjatë karrierës, duke shtuar se do të jetë i gatshëm për debutimin e tij edhe në këtë duel të rëndësishëm.

“Kam luajtur disa derbi të Lazios dhe Romës, pastaj derbi të Londrës, por ndeshja më e madhe ishte ajo mes Zvicrës dhe Shqipërisë që ndonëse nuk ishte rivalitet i qytetit, ishin rrethanat që e bënin të tillë. Për fat të keq, atmosfera nuk ishte e zakonshme, por ishte ndeshje me prioritet”, është shprehur Behrami. “Kur iu bashkova Genoas në janar, shumë njerëz me kanë folur për derbin me Sampdorian dhe tifozët më kanë kërkuar që ta fitojmë, gjë që duhet ta bëjmë këtë herë për t’i gëzuar”.

Behramit i vjen shumë keq që derbi i Genoas nuk do të zhvillohet në stadiumin e stërmbushur me tifozë por shton se edhe futbollistët tashmë kanë filluar më mësohen me këtë situatë të shkaktuar nga koronavirusi. Madje, Behrami ka folur edhe për infektimin e tij me koronavirus që e ka bërë dukshëm më të ndjeshëm dhe t’i shohë gjërat ndryshe.

“Është ndjenjë e çuditshme të luajmë pa tifozë, por mendoj se është e pamundur tani për tani të mendojmë për kthimin e tyre në tribuna. Të luash në stadium të zbrazët të shpërqendron si futbollist por gradualisht po mësohemi me këtë situatë të re”, tha Behrami. “Kur u preka nga koronavirusi mund të them se nuk e gjeta veten të fortë, por të brishtë. Nuk kisha problem fizik, por një frikë nga diçka që nuk e njihja. Frikën se mund t’i infektoja fëmijët, prindërit apo gruan time. Isha i mbyllur në dhomë dhe i izoluar nga bota, gjë që më bëri më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Nuk ishte aspak situatë e lehtë”.

Behrami këtë edicion ka katër paraqitje në Serie A me fanellën e Genoas, ekip që zë vendin e 15-të në tabelë me katër pikë të tubuara. Ai është njëri prej futbollistëve me përvojën më të gjatë dhe karrierën më të pasur te Genoa. Si profesionist karrierën e nisi në vitin 2002 te Lugano për të vazhduar te Verona, Lazio, West Ham Unitedi, Fiorentina, Napoli, Hamburgu, Watfordi, Udinese dhe Sioni. Ka edhe 83 ndeshje e dy gola të shënuar për Zvicrën, derisa ka fituar Kupën e Italisë në vitin 2014 me Napolin.