Në mesin e viktimave në Hanau, një grua shtatzënë, një kamarier dhe një boshnjak

Nëntë personat e qëlluar për vdekje në dy shisha bare në qytetin gjerman Hanau besohet të kenë qenë të moshave nga 21 në 44-vjeçare. Të gjithë ishin imigrantë e disa ta kishin edhe shtetësi gjermane.

Ambasadori turk në Berlin, Ali Kemal Aydin, tha se pesë nga viktimat ishin shtetas turq. Njerëzit me prejardhje turke përbëjnë pakicën e vetme më të madhe të Gjermanisë.

Pesë nga viktimat ishin me origjinë kurdë, sipas Mehmet Tanriverdi, zëvendëskryesues i Konfederatës së Komuniteteve të Kurdistanit në Gjermani. Nuk ishte e qartë nëse të njëjtit ishin shtetasit turq.

Sipas burimeve të pakonfirmuara në mediat turke dhe gjermane, siç raporton “The Guardian”, në mesin e viktimave janë edhe një boshnjak e një polak.

Pos tyre, në mesin e viktimave është një kamarier në shisha barin “Midnight”, aty ku ndodhi sulmi i parë. sipas mediave turke, ai ishte Gokhan Gultekin. Një organizatë mediatike turke, TRT, tha se Gultekin ishte i fejuar dhe po priste të martohej.

Iskender Muhammed, një burrë turk që kishte shkuar në barin “Midnight” për t’u ushqyer me një grup miqsh, tha se Gultekin dhe tre darkuesit tjerë u vranë afër tij. Muhammedi foli për televizionin turk “A Haber TV” nga shtrati i spitalit ku po trajtohej për plagën e marrë nga plumbi në krahun e tij të djathtë, transmeton Koha.net.

Gazeta ditore kurde me bazë në Frankfurt, “Yeni Özgür Politika”, raportoi se një viktimë tjetër në “Midnight” ishte 22-vjeçari Ferhat Unvar, djali i një prej gazetarëve të saj.

Në barin e dytë, “Arena”, dy punonjës besohet të jenë në mesin e të vdekurve, sipas djalit të pronarit.

Mediat gjermane raportuan se një nga viktimat ishte një grua shtatzënë 35-vjeçare, nënë e dy fëmijëve.

Shisha baret janë të shpeshta nëpër Gjermani dhe janë vende të famshme për njerëzit që kanë lidhje me Lindjen e Mesme apo me Azinë jugore për të kaluar kohën e lirë duke thithur duhan me shije të ndryshme dhe çaj.

Hetimet për sulmin vdekjeprurës në Hanau të Gjermanisë janë përqendruar të enjten në zbulimin nëse persona të tjerë kanë qenë në dijeni apo të përfshirë në organizimin e aktit të gjermanit Thobias R, raporton KTV.

I dyshuari vrau nëntë persona në dy shisha-bare që frekuentoheshin kryesisht nga qytetarë me prejardhje jogjermane. Pas sulmit, që u përcoll me një operacion kërkimi rreth shtatorësh, i dyshuari dhe nëna e tij u gjetën të vdekur në banesën e tij.

Autoritetet janë duke e ekzaminuar një video, që besohet të jetë realizuar nga i dyshuari pak ditë para sulmit. Në këtë video ai i shpreh pikëpamjet e tij raciste.

Prokurori i rastit, Peter Frank, ka thënë se përmbajtja e videos, që është publikuar në internet, shpërfaq qartë mendësinë e thellë raciste të Tobias R., një ekonomist që punonte si bankier.

I dyshuari besohet po ashtu të ishte i ndikuar nga teoritë konspirative.

Duke reaguar ndaj rastit, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se ekzistojnë shenja të shumta se 43-vjeçari Tobias R. e ndërmori sulmin në Hanau i ndikuar nga racizmi. Në Hanau jeton po ashtu një komunitet i madh shqiptar.

“Racizmi dhe urrejtja janë helm. Ky helm ekziston në shoqërinë tonë dhe është fajtor për shumë krime”, ka thënë Merkel.

Prokurorët federalë, sulmet i kanë trajtuar si akte terroriste.

I pari ndodhi në mesnatë në qendër të qytetit, derisa i dyti në lokalin “Arena Bar” në lagjen Kesselstadt. E frekuentuesit të këtij lokale ishin kryesisht kurdë.

Turqia ka njoftuar se së paku pesë nga të vdekurit janë shtetas të saj.

Gazeta gjermane “Bild” ka raportuar se vrasësi kishte leje për përdorim të armëve dhe një sasi e konsiderueshme armatimi ishte gjetur në veturën e tij.

Sulmi i së mërkurës mbrëma ka ndodhur në kohën kur Gjermania përballet me rritje të shkallës së dhunës nga e djathta ekstreme.