Në mënyrë të dyshimtë: Komuna e Prizrenit fshinë nga sistemi 364 mijë euro borxhe të qytetarëve

Në vitin e kaluar, Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga Mytaher Haskuka ka fshirë nga kompjuteri borxhet e qytetarëve që kishin të bënin me tarifat për mbeturinat. Kjo është bërë pa një arsyetim të qëndrueshëm.

Këtë fakt e ka evidentuar Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2020.

Auditori ka shkruar në raport se bazuar në të dhënat e ofruara nga komuna është vërejtur se gjatë viteve 2016-2020 nga regjistri i llogarive të arkëtueshme për mbeturina Komuna kishte fshirë/ anuluar borxhet në vlerë 364,284 euro ndaj 2,397 amvisërive me arsyetimin se gabimisht kishte faturuar me nga dy fatura për të njëjtin amvisëri, shkruan lajmi.net.

Neni 3 paragrafi 3.5 i Rregullores “Mbi Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Prizrenit” e aprovuar me dt. 19.09.2013 përcakton që duhet bëhet: Formimi i komisionit në kuadër të administratës komunale, për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave të taksapaguesve për mbeturina.

“Komuna nuk kishte formuar komision i cili do të shqyrtonte ankesat e qytetarëve dhe dëshmitë përkatëse për të verifikuar nëse faturimi ka qenë i gabuar. Po ashtu, nuk kishte asnjë ankesë nga qytetarë në formë të shkruar (protokolluar). Shlyerja e borxheve ishte bërë direkt në softuer nga zyrtarët komunal bazuar në ankesat verbale të qytetareve. Komuna përdorë një program softuerik për menaxhim e Llogarive të farkëtueshme për mbeturina, mirëpo ky program nuk ofron siguri të mjaftueshme pasi që sipas zyrtarëve komunal nuk mbeten gjurmë nga shlyerja e borxheve dhe ndryshimet tjera”, ka shkruar auditori në raport.

Sipas ZKA-së kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit të brendshëm efektiv me rastin e shlyerjes së borxheve.

Auditori ka theksuar tutje se fshirja e borxheve në mungesë të ankesave të protokolluara si dhe mos formimi i komisionit për shqyrtimin e tyre rrit rrezikun e shlyerjes së borxheve në mungesë të dëshmive përkatëse, po ashtu, ndikon edhe në trajtimin jo të barabartë të taksapaguesve.

“Më tutje, intervenimi në softuerin për mbeturina duke anuluar faturat pa ndonjë gjurmë në sistem, lë hapësirë për keqpërdorim si dhe shkakton pasiguri të saktësisë së llogarive të farkëtueshmeve”, theksohet në raport.

ZKA ka rekomanduar kryetarin e Komunës se  duhet të formojë një komision profesional i cili do të verifikoj faturat e fshira/anuluara për tu siguruar se faturat e fshira/anuluara vërtet kanë qenë gabim bazuar në gjendjen faktike.