Në KE thonë se nuk ka asnjë kërkesë për heqjen e liberalizimit të vizave për Shqipërinë

Komisioni Evropian është në dijeni të mocionit të miratuar në Parlamentin holandez, por nuk ka marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar për të filluar ndërprerjen e regjimit të liberalizimit të vizave, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Bertaud, raporton agjencia italiane e lajmeve “Agenzia Nova”.

“Ka një procedurë specifike për pezullimin e regjimit të liberalizimit të vizave. Sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar që të kërkojë ndërprerjen e sistemit të vizave”, sqaroi zëdhënësja e KE-së.

“Nëse do të ndodhë, ne do e analizojmë me kujdes, do e vlerësojmë dhe do të përcaktojmë nëse nevojiten veprime”, tha ajo.

Për më tepër, zëdhënësja u shpreh se “Komisioni ka publikuar në dhjetor 2018 një raport mbi vlerësimin e regjimit të liberalizimit të vizave për vendet e partneritetit lindor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka dalë në përfundimin se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, vazhdojnë të përmbushin kriteret e kërkuara, por janë të nevojshme shumë veprime të tjera”.

Ky saktësim i Bertaud erdhi një ditë pasi në Parlamentin holandez u votua në favor të pezullimit të regjimit të liberalizimit të vizave për udhëtimet e qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.