Në Itali lindin dy vajza me antitrupa koronavirusi, falë vaksinës në shtatzëni

Dy foshnja kanë lindur ditët e fundit me antitrupa kundër Covid-19. Vajzat e vogla, Anna dhe Valentina, kanë lindur në spitalin e Padovas në Itali nga dy nëna, të dyja mjeke, të cilat kishin marrë vaksinën gjatë shtatzënisë.

“Ato janë të parat në Itali ku janë izoluar antitrupat në gjakun e të porsalindurave që në lindje”, shpjegoi Gianfranco Juric Jorizzo, kreu i ekipit të Mjekësisë Prenatale të Ulss 6 në Padova.

Sipas tij studimet ndërkombëtare deri më sot, janë bazuar vetëm në antitrupa nga kordoni i kërthizës, raporton A2.

Anna lindi më 9 mars, Valentina më 16 mars. Të dy nënat janë njëra gjinekologe 37-vjeçare dhe një imunologe 36-vjeçare. Të dyja, nuk ishin infektuar kurrë me virusin, por iu nënshtruan vullnetarisht dozës së parë të vaksinës në fillim të janarit dhe tri javë më vonë, dozës së dytë.

Vajzat, të cilat peshonin rreth 3 kg në lindje, janë mirë, në shtëpi dhe ushqehen vetëm me gji.