“Në hap me korrupsionin” – Këshilltari i Hysen Durmishit shetitët rrugëve me “babën e tenderëve” (Foto)

Dhënia e parave pa tender në Ministrinë  e Infrastrukturës nuk ka të ndalur. Përveç kësaj, aty vazhdon të mbajë pozitë të rëndësishëm në Prokurim (departamenti ku vendoset për tenderë), Nexhat Krasniqi, i dënuar për korrupsion, i larguar nga puna, i rikthyer sërish.

I njohur si “baba i tenderëve”, Nexhat Krasniqi po punon krah për krah me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësin e tij, Hysen Durmishi, dy nga kuadrët ndër më të fuqishmit në Vetëvendosje, parti kjo që sa ishte në opozitë e kishte gojën plot luftim të korrupsionit. Përveç kësaj, emri i Nexhat Krasniqit ishte përmendur nga dy ish deputetë të VV-së, tash ministra, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla.

Ata kishin bërë pyetje publike në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës se si është e mundur që një njëri i dënuar për korrupsion vazhdon të jetë në këtë pozitë, që e mban aktualisht.

Se Nexhat Krasniqi ka “shti rrenjë” në Ministrinë që drejtohet nga Aliu dhe Durimishi, e tregojnë edhe këto fotografi të siguruara nga Ballkani.info, ku këshilltari i zëvendësministrit Hysen Durmishi, Imer Fejza, shihet rrugëve bashkë me Nexhat Krasniqin.

Imer Fejza është aktivist i Vetëvendosjes, Qendra në Mitrovicë.

Foto: Në të majtë zv/ministri Durmishi me Imer Fejzën; Në të djathtë, Nexhat Krasniqi me Imer Fejzën

E për implikimet e mundshme të Hysen Durimishit në tender, ka folur në Kuvend edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj doli në seancë me disa dokumente për të argumentuar se si sipas tij Qeveria Kurti e ka nisur shumë keq. Haradinaj u tha kabinetit të ri qeveritar se “Ju jeni vërtetë më të korruptuar sesa krejt të tjerët që kanë qenë përpara”.

Ish-kryeministri tregoi një fotografi ku zëvendëskryeministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi është parë duke drekuar me një biznesmen, të cilit sipas Haradinajt, i është dhënë tender nga kjo ministri pasi Durmishi e kishte marrë detyrën e re.

“Hysen Durmishi është këtu në një drekë pune me punëdhënësin e tij të mëhershëm para se të bëhet zëvendësministër. Po e respektoj punëdhënësin, s’po ia përmendi emrin. Ky këtu, menjëherë si ka hy në ministri, punën e parë, tenderin e parë e ka marrë kjo kompani”, pati thënë Haradinaj.

Kthimi në Ministrinë e Infrastrukturës të Nexhat Krasniqit, nëntorin e vitit të shkuar, në pozitën e Shefit të Prokurimit, po dyshohet se është bërë jashtëligjshëm.

Për këtë, bazuar në burime, Prokuroria e Shtetit dhe Krimet Ekonomike kanë nisur një hetim, tash e disa javë.

Krejt kjo pasi rasti u iniciua nga rrjeti i organizatave AVONET, që shkeljet e supozuara në rastin e kthimit të të njohurit si “Baba i Tenderëve” përveç në Polici e Prokurori i denoncuan edhe tek Kryeministri, Albin Kurti, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu e Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Lidhjet e Nexhat Krasniqit

Nexhat Krasniqi, shef i prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, i dënuar për korrupsion, me vendim të plotfuqishëm nga gjykata, po e vazhdon punën e tij, përkundër se Gjykata Supreme në aktgjykimin dënues ndaj tij i ka shkëputur të njëjtit marrëdhënien e punës.

I njohur si ‘Baba i tenderëve’, Nexhat Krasniqi, jo rrallë herë është përmendur në media për afera të ndryshme brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Por jo vetëm, përveç në rastin për të cilin është i dënuar për korrupsion, Nexhat Krasniqi ka qenë dhe vazhdon të hetohet nga institucionet e sigurisë në vend nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ashtu sikurse dyshohet që, prej muajsh, jashtëligjshëm e mban pozitën e shefit të prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ndonëse hetimet për Krasniqin, sikurse për raste tjera të tilla, bëhen nga Departamenti Special i Antikorrupisonit në Policinë e Kosovës, brenda këtij organi Krasniqi del se ka krijuar edhe miqësi me të paktën një hetues nga ky departament.

‘Reporteri.net’ kishte mësuar se Nexhat Krasniqi ka krijuar raport me një hetues të këtij departamenti. Fjala është për hetuesin Ekrem Ibishi.

Gazeta ka siguruar edhe një fotografi nga një takim i Krasniqit, me hetuesin Ibishi, në një nga kafenetë në qendër të Prishtinës. Të shoqëruar me disa persona tjerë, në mesin e tyre edhe një biznesmen i njohur, takimi në fjalë ka ndodhur në ditët e para të muajit mars të këtij viti.

Fotografitë janë të shkrepura nga momenti kur Ibishi afrohet drejt tavolinës në kafene ku po qëndron Krasniqi, dhe sipas personit që i ka shkrepur ato dhe e ka denoncuar rastin e ka patur të pamundur të shkrepë fotografi tjera pasi ata janë ulur bashkë, nga frika se mos po bie në vëmendjen e personave që po i shoqëronin ata.

Nuk ndalen në Ministrinë e Liburn Aliut, vazhdojnë të japin para pa tender të hapur

Edhe këtë javë Ministria e drejtuar nga Liburn Aliu ka vazhduar dhënien e tenderëve një burimore, të mbyllur apo siç njihet zyrtarisht përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Pikërisht kjo dhënie e tenderëve në këtë formë konsiderohet si procesi më i dyshimtë nga ku buron korrupsioni dhe vjedhja e buxhetit të shtetit, shkruan Gazeta Infokus.

Javën e kaluar u raportua se  kjo ministri për më pak se dy muaj ka nënshkruar hiq më pak se 33 tender 28 prej tyre janë dhënë në mënyrë një burimore.

Kjo formë e dhënies së tenderëve ka vazhduar edhe këtë javë.

Ministria e infrastrukturës ka nënshkruar pesë kontrata për kryerjen e punimeve në teren në këtë formë.

Kështu pesë kompanive iu ka dhënë rreth një milionë euro pa shpallur fare tender.

Saktësisht pesë kompani pa i hyrë fare garës kanë marr 999, 122 euro nga kjo ministri.

Sipas ligjit për Prokurim Publik procedurat e negociuara aplikohet në rrethana të veçanta ku autoriteti kontraktues fton dhe këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.

Ndërsa procedurë e hapur nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të interesuar ekonomik të paraqet tender e ti hyj garës për të fituar atë. /Ballkani.info/