Në Gjermani hyri në fuqi ligji i ri i fuqisë punëtore, kujdes nga ndërskëmbësat!

Më 1 mars hyri në fuqi ligji i ri për fuqinë punëtore në Gjermani. Ai u drejtohet forcave të kualifikuara të punës jashtë Bashkimit Evropian. Çfarë rregullon ky ligj dhe çfarë duhet të kesh parasysh për ardhjen në Gjermani?

Të jetosh e punosh në Gjermani? Nuk është aq e lehtë, sepse Gjermania nuk e ka parë asnjëherë veten si vend emigracioni. Por aktualisht mungojnë më shumë se 1 milion vetë fuqi punëtore e kualifikuar. Prandaj qeveria gjermane ka vepruar dhe ka miratuar një ligj për fuqinë punëtore të kualifikuar – që hyn në fuqi më 1 mars. Cilat janë të rejat e ligjit?

Çfarë kushtesh të tjera nevojiten?

Kush ka një kontratë pune apo një ofertë konkrete të vërtetuar pune, mund të marrë një vizë pune për katër vjet ose për sa kohë nënshkruhet kontrata. Pas katër vitesh qëndrimi, forcat punëtore mund të kërkojnë vizë për qëndrim më afatgjatë, nëse plotësohen kushtet. Po ashtu ligji i ri ta mundëson ardhjen në Gjermani për gjashtë muaj, kush kërkon një punë, pra pa pasur ende kontratë. Kusht është që të mbulosh vetë shpenzimet e jetesës dhe të kesh nivelin e gjermanishtes B2, (Niveau B2).

Ky kriter vlen edhe për të huajt, që duan të bëjnë një shkollim apo duan të studiojnë në Gjermani. Krahas kushteve të mësipëme, ata duhet të vërtetojnë, se kanë ndjekur një shkollë jashtë Gjermanisë, apo kanë një maturë që të lejon të studiosh në Gjermani. Mosha e tyre nuk duhet të kalojë 25 vjeç. Nëse ata pas shkollimit kanë punuar dy vjet në Gjermani, mund të kërkojnë leje të vazhdueshme qëndrimi. Një rregullore e veçantë vlen për ato forca punëtore që janë më të mëdhenj se 45 vjeç, e duan të punojnë në Gjermani. Ata duhet të paktën të fitojnë 3685 Euro në muaj ose të vërtetojnë, se kanë kontribute pensione të krahasueshme.

Rregullore e posaçme për profesionet me mungesa të theksuara punëtorësh

Për profesionet, ku ka mungesa të theksuara të fuqisë punëtore, do të ulen më tej barrierat për punonjësit e huaj. Për shembull një mjek, një infermier i shkolluar, i cili ka të paktën 5 vite punë, nuk ka nevojë për njohjen formale të kualifikimit. Megjithatë duhet që punëdhënësi të premtojë se me përfundimin e kontratës, punëdhënësi duhet të paguajë një vit koston e jetesës dhe dëbimin, nëse punëmarrësi nuk largohet vullnetarisht.

Me ose pa familje?

Parimisht është e mundur që të merret partnerja apo partneri dhe fëmijët në Gjermani. Megjithatë duhet që punëmarrësi të tregojë, se e ka të mundur të sigurojë jetesën për ta dhe ka hapësirë të mjaftueshme banimi. Nuk ka mbështetje nga shteti për raste të tilla. Caritasi gjerman ka kritikuar, se ligji kërkon fuqi punëtore, por jo njerëz me familje. Kush punon në profesionet sociale apo në kujdestarinë e pleqve e ka të vështirë të mbajë edhe familjen, thuhet nga Caritasi.

A vlen ky ligj për refugjatët e azilkërkuesit?

Parimisht po, por nga leja e qëndrimit e ashtuquajtur leje qëndrimi për shkollim apo punësim (Ausbildungs- und Beschäftigungsduldung) mund të përfitojë një numër i vogël i tyre. Ajo i drejtohet vetëm atyre të huajve pa qëndrim, që kanë duldung-pra leje qëndrimi të toleruar. Sepse për arsye të ndryshme ata nuk mund të dëbohen. Por personi në fjalë duhet të që për një vit e gjysmë të ketë punuar më shumë se 35 orë në javë dhe të sigurojë kështu vetë jetesën. Përveç kësaj ai duhet të flasë gjermanisht në nivelin B2 dhe të mos ketë vepra penale. /dw/