Në Francë gjendet i vrarë Artan Sekiraqa, gruaja e tij e dyshuara kryesore për vrasje

Trupi i Artan Sekiraqës, një kosovar 33 vjeçar, është gjetur të shtunën pasdite vdekur në një dhomë në apartamentin në katin e tretë në rrugën Grande Rue 39 A në Dole, në krahinën e Juras në Francë, transmeton Koha.net .

Siç shkruan portali www.estrepublicain.fr, ai duhet të jetë vrarë me një sëpatë e cila është gjetur pranë trupit të tij.

Prokurori i Besançon, Etienne Manteaux, ka treguar se të ndjerit pothuajse i ishte prerë koka. Ishte kundërmimi ai që e kishte alarmuar pronarin që e kishte dhënë me qira banesën.

Bashkë me të ndjerin kishte jetuar një grua dhe dy fëmijë 10 e 14 vjeçar.

Ata, siç përcjell portali, kishin jetuar bashkë që nga korriku i këtij viti pasi i ndjeri kishte vuajtur një dënim prej tre muajsh burgim për dhunë në familje.

Familja më parë kishte jetuar në Besançon, nga 2011 në 2014, pastaj në Vénissieux në periferi të Lionit, para se të lëviznin për Mulhouse në vitin 2015. Bashkëshortja e të ndjerit është e zhdukur që nga 21 shtatori bashkë me fëmijët, ka thënë prokurori.

Sipas prokurorit, telefoni i saj është me origjinë nga Kosova ashtu sikur dhe ajo, më saktë nga Prishtina.

“Tash për tash, përderisa bashkëshortja nuk është marrë në pyetje, të gjitha supozimet për vrasjen mbeten të vlefshme”, tha Manteaux, i cili ka hapur hetimin penal për vrasje.

Burri dhe gruaja, siç thotë portali, ishin njohur në një lagje dhe njiheshin për agresivitete gjë që i kishte bërë të njohur jo vetëm aty, por i kishte vënë në telashe edhe mësuesit e fëmijëve të tyre si dhe shërbimet sociale.

Theksohet se i vrari për herë të fundit ishte parë i gjallë rreth shkollës së fëmijëve të premten e 20 shtatorit.

Prokurori ka thënë se bashkëshortja e tij është e dyshuara kryesore për vrasjen e tij.