Takimi ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë që zhvillohet sonte, sipas disa portaleve në Bullgari është i fundit për selektorin bullgar Peter Hubchev, në krye të kombëtares së këtij vendi.
Duket se ky lajm i paverifikuar është një metodë shtesë e medieve për të bërë presion në selektorin bullgar, meqë këso spekulime para një ndeshjeje të rëndësishme, mund të jenë indikator i problemeve të brendshme që ka ekipi.
Në fakt, disa portale bullgare përmendin emrin e Krasimir Balakovit, ish bashkëlojtarit të Hubchevit në kombëtaren bullgare në vitet e 90-ta, si selektor i ardhshëm.
Por Balakov, në një prononcim për 24chasa, një prej gazetave më të respektuara në Bullgari ka thënë se askush nga Federata Bullgare e Futbollit atë nuk e ka kontaktuar për t’u bërë selektor dhe se lajmet e rrejshme si ky mund të prishin atmosferën dhe të rrisin tensione brenda ekipit.
Ai ka pohuar se është i përqendruar në detyrat si trajner i ekipit Etar dhe ka kontratë në këtë ekip, kurse Hubchevit sot i dëshiron suksese në Prishtinë.
Balakov ka qenë mesfushor i Sportinugt dhe Stuttgartit dhe ka 93 ndeshje në ekipin kombëtar bullgar, kurse bashkë më Hubchevin dhe gjeneratën e viteve të 90-ta kanë luajtur në gjysmëfinale të Botërorit SHBA’94.







