Topi i Artë 2019 jepet në fund të vitit dhe është ende shumë herët për të menduar për të, por që tani shumë gjëra janë të qarta, sepse sidomos në vitet kur nuk ka Europian apo Botëror vendos shumë triumfi në Champions League.
Lajmi i fundit është se mbrojtësi i Liverpool Virgil van Dijk ka parakaluar Lionel Messin dhe është bërë favoriti i ri për të fituar “Ballon d’Or” në 2019.
Messi ka qenë në ‘pole-position’ për të fituar atë që do ishte Topi i Artë numër 6 për të, pas triumfit me Barcelonën në La Liga dhe 51 golave të shënuar në të gjitha kompeticionet këtë sezon.
Megjithatë, Van Dijk ka zhvilluar një sezon madhështor me Liverpoolin dhe ishte vendimtar në triumfin në Champions League, ndaj holandezi po shihet gjithnjë e më shumë si pretendent kryesor për çmimin individual më të rëndësishëm në futboll.
Kompania e njohur britanike e basteve, William Hill, ka ulur kuotën për triumfin e Van Dijk nga 4.5 që ishte para një jave në 1.73 në këtë moment. Ndërkaq, Messi tashmë kuotohet 2.2 për suksesin final.
Cristiano Ronaldo kuotohet 9.5 dhe Mohamed Salah 17, sinjal që portugezi dhe egjiptiani kanë shanse tepër të vogla.
Kuota për Van Dijk ra ndjeshëm për shkak të suksesit në finalen e Champions League dhe paraqitjes së shkëlqyer me Holandën në Ligën e Kombeve. Megjithatë, nuk ka mbaruar, sepse Messi do të marrë pjesë në Copa America këtë verë dhe nëse më në fund ia del të triumfojë, duke qenë vendimtar, me siguri gjithë bota do ta shohë me një sy tjetër sezonin e tij.








