Ndryshoi fytyrën? Ish-komisari: Vis Martinaj thirri kirurgun më të mirë plastik dy muaj para zhdukjes

Hipotezat lidhur me fatin e të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj sa vijnë dhe shtohen, ndërkohë që ai rezulton i zhdukur që prej muajit gusht.

Ish-shefi i policisë Dritan Zagani, duke folur në “Shqipëria Live”, tha se dy muaj para se të zhdukej Ervis Martinaj ka dërguar njerëz në Itali për të kontaktuar me një nga kirurgët më të mirë plastikë.

“Pak muaj para se të zhdukej ky person nëpërmjet lidhjeve të tij ka kërkuar të takoj një nga kirurgët plastik më të mirët në Itali. Ka dërguar njerëz që ta sjellin në Shqipëri dhe ky kirurgu është shqiptar. Hetuesit a e kanë shqyrtuar ndonjëherë këtë mundësi? Thuajse dy muaj para se të zhdukej Ervis Martinaj ka ndodhur kjo gjë”, u shpreh Zagani.

Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK.