Ndryshimi drastik i Ronaldos gjatës vetizolimit, pas infektimit me Covid-19

Cristiano Ronaldo e ka zgjedhur Instagramin për ta treguar stilin e ri të flokëve, derisa po e rimerr veten nga koronavirusi në karantinë.

Superylli i Juventusit Ronaldo duket se po e shfrytëzon plotësisht kohën në karantinë.

35-vjeçari  u infektua me koronavirus derisa ishte në detyrë me Kombëtaren e Portugalisë në fillim të javës së kaluar dhe u kthye menjëherë në Itali për t’u futur në karantinë, në mënyrë që të rikthehet në kohë për ndeshjen e Juventusit kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

Ai mungoi në barazimin e Juventusit me Crotonen në Serie A dhe në fitoren kundër Dymano Kiev në Ligën e Kampionëve të martën.

Të mërkurën në mëngjes, Ronaldo e zgjodhi Instagramin për të shfaqur pamje nga ushtrimet që është duke i bërë në palestrën e vet në shtëpi, derisa e zbuloi edhe stilin e ri të flokëve.

Ai shihet me flokë të rruara dhe në formë të jashtëzakonshme fizike si gjithmonë.

Ai pritet të kthehet në fundjavë për Juventusit, por ndeshja e javës së ardhshme kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve është endë në pikëpyetje, pasi Ronaldo duhet të dalë negativ në testin për koronavirus të paktën një javë para saj, sipas rregullores së UEFA-s./Gazeta Express/