Ndryshimet kushtetuese për vettingun, Konjufca i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka dërguar sot në Gjykatë Kushtetuese amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës në lidhje me vettingun në sistemin e drejtësisë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Konjufca, i cili ka thënë se këtë veprim e ka bërë për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vettingun në sistemin e drejtësisë, sot, i kam përcjellë amendamentet kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkroi Konjufca.

Ai është shprehur i gëzuar që reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë.

“Vetëm përmes saj Republika e Kosovës do të jetë shtet i së drejtës dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë. I falënderoj anëtarët e Komisionit Ad Hoc, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të drejtësisë, partnerët tanë dhe ekspertët për punën e tyre në këtë proces të rëndësishëm”, shkroi Konjufca.