Ndodh në Pozheran: Besimtarët bënë iftar pesë minuta para kohës, ezani u thirr më herët gabimisht

Besimtarët myslimanë në Kosovë, këtë javë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit, nën masat anti-COVID.

Ata që mbajnë Ramazanin për një muaj do të qëndrojnë pa ngrënë e pa pirë nga agimi deri në muzg.

Njerëzit zakonisht e prishin agjërimin mes anëtarëve të familjes dhe miqve në shtëpi me një vakt të njohur si iftar.

Por në Pozheran të Vitisë mbrëmë ka ndodhur një ngjarje e pazakontë, sipas banorëve, transmeton Plus Televizion.

Raportohet se besimtarët bënë iftar pesë minuta para kohës së caktuar, pasi ezani u thirr më herët gabim.

Atje nga Xhamia e këtij fshati, muezini ka thirr ezanin e iftarit në orën 19:19 minuta, pesë minuta para kohës së caktuar për iftarit, në ditën e mërkurë që ishte sakt në ora 19:24, sipas vaktisë së ramazanit për territorin e Kosovës nga Bashksia Islame e Kosovës.

Plus Televizion ka kontaktuar imamin e Xhamisë në Pozheran, Muhamet Zuka, i cili ka konfirmuar se kjo ka ndodhur gabimisht.

“Po është thirrë ezani pesë minuta ma herët gabimisht, muezini e ka pas orën gabim, menjëherë posa kam dëgjuar ezanin e kam thirr muezinin duke i thënë se është para kohe pak dhe është përmirësuar. Ata që kanë bërë iftar në ato momente nuk e kanë prishë agjërimin pasi asgjë nuk ka qenë qëllimisht”, tha Zuka.

Sipas traditës islame, sapo muezini të fillojë ta thërras Ezanin, atëherë mund të thyhet agjërimi e myslimanët hanë iftar kur e dëgjojnë ezanin për namazin e mbrëmjes (akshami).

Ndryshe Plus TV është duke e transmetuar çdo ditë kohen e saktë të iftarit sipas vaktisë së Ramazanit, dhe do të sjellë për shikuesit programe të ndryshme që i dedikohet muajit të shenjtë të Ramazanit.