Derbi

Ndizet derbi: Ballkani në karantinë, kryeqyteti i mobilizuar

Prishtina dhe Ballkani janë mobilizuar në përpjekje për t’u përgatitur sa më mirë për superderbin e fundjavës në Ipko Superligë, i cili mund t’i jetë vendimtar në garë për titull këtë sezon.

Prishtina e pret klubit nga Suhareka në stadiumin Fadil Vokrri, e vetëdijshme se humbja do të nënkuptonte një hap shumë mbrapa në synimin e saj për ta fituar titullin e ligës për herë të parë pas vitit 2013.

Ballkani është lider i Superligës me 40 pikë pas 19 ndeshjeve, e ndjekur nga Prishtina dhe Drita me nga tri pikë më pak dhe Gjilani më pesë pikë më pak, në një garë të nxehtë katërfrontëshe për titull.

Ndërkohë që grupi ultras i bardhekaltërve, Plisat, i kanë nisur përpjekjet për të grumbulluar sa më shumë tifozë të shtunën pasdite në stadiumin Fadil Vokrri, klubi nga Suhareka ka vendosur të akomodohet në Prishtinë një ditë më herët.  

Nismës sonë për ndeshjen KF Prishtina – KF Ballkani, i janë bashkangjitur disa nga sportistët më të shquar të kryeqytetit.

Plisat u kanë bërë thirrje prishtinasve të jenë në ndeshje në përkrahje të Prishtinës në numër sa më të madh.

“Rëndësia e kësaj ndeshje dihet! Një piknik më pak, por si një familje e madhe së bashku do të mbështesim KF Prishtinën për fitoren e radhës! Cila lagje e Prishtinës do të vij më masovikisht të shtunën në stadion? Shpërndaje dhe bëje tagg shokun që duhet të vij të shtunën në lojë. Nëse e don KF Prishtinën pas shtatë vitesh kampion, të shtunën hajde në stadion!”, thuhet në thirrjen e Plisave në rrjetet sociale.

Ndërkohë, Ballkani, i cili e mundi Prishtinën në përballjen e parë mes tyre në ligë këtë sezon në Suharekë, ka vendosur t’i dërgojë lojtarët në karantinë.

“Duke marrë për bazë se po afrohet derbi i IPKO Superligës Prishtina – Ballkani, klubi jonë është duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme teknike dhe sportive për tu përgatitur sa më mirë për këtë sfidë, ku në kuadër të kësaj situate që bartë një ndeshje derbi FC Ballkani do të dërgoj klubin në karantinë. Klubi vendoset në hotel një ditë para ndeshje, më datë 28.02 ditë e premte. Gjithashtu për Media është e paraparë edhe konferenca për shtyp në ditën e premte në ora 17:30”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.