Ndëshkimi i dytë i SHBA-së ndaj Kosovës, moslobimi te shtetet mosnjohëse

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u ka thënë sot gazetarëve se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ”duhet ta kuptojë se e ka shtëpinë në flakë”.

Kjo derisa, ”SHBA-ja është e brengosur se ai ka marrë hapa të pakoordinuar, dhe pasojat do të jenë të menjëhershme”, duke përfshirë edhe “moslobimin te shtetet mosnjohëse”.

Sipas tij, kjo është bërë e qartë me reagimin e ashpër nga niveli më i lartë, ai i sekretarit, Anthony Blinken. Hovenier bëri të ditur se cilat janë dy kërkesat që Kurti duhet realizuar urgjentisht.

”E para, tërheqja e policisë nga ndërtesat komunale, dhe e dyta, që kryetarët e rinj të mos i ushtrojnë funksionet në ndërtesat komunale, meqë nuk kanë marrë më shumë se 3-4 për qind të votave”, tha ai.

Sipas tij, SHBA e kanë bërë ”të qartë se nuk mbështesin më projektet e përbashkëta dhe Kosova përjashtohet nga Defender Europe 23”. Kjo, derisa ”nuk do të ketë vizita të nivelit të lartë të Kosovës në SHBA”, u shpreh ai.

I pyetur nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pjesë e politikave qeveritare, nëse Kurti dhe Osmani punojnë si ekip, ambasadori Hovenier, ka thënë se nuk i takon të flasë për këto dinamika brenda institucioneve.

Megjithatë, Hovenier ka përmendur se Osmani e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.

“Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet”.

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, ka thënë se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat janë marrëdhëniet e tensionuara – i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”.

SHBA-ja i ka dy kërkesa për Kosovën
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”.

Sipas Hovenierit, marrja e këtyre dy veprimeve do të ndihmojë në ulje të tensioneve.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”.

Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për këtë Marrëveshje, në shkurt të këtij vitit në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit në mars.