Ndeshjet që do t’i humbasë Hazard pas lëndimit që do ta lërë jashtë deri në katër javë

Real Madridi i Zinedine Zidane është i detyruar t’i shqyrtojë disa opsione të tjera për formacionin e ndeshjes së parë në sezonin e ri të La Ligës, kundër Celta Vigos.

Eden Hazard ka pësuar një lëndim në këmbë vetëm një ditë para se ta bënte debutimin e tij me Real Madridin në një ndeshje me karakter garues, pasi që deri më tani e ka mbajtur veshur fanellën e “Los Blancos” vetëm gjatë ndeshjeve miqësore.

Sipas asaj që tani raporton AS, Hazard do të mungojë tre deri në katër javë.

Përveç ndeshjes së nesërme me Celta Vigon, ai do t’i humbasë edhe sfidat kundër Valladollid e Villarreal.

Eden ka mundësi që të mos rikuperohet as në shtator dhe pritet të mos ftohet nga Belgjika për ndeshjet me San Marinon dhe Skocinë.

AS raporton se Hazard mund të jetë gati për të luajtur me 14 shtator, kur Reali të presë në “Santiago Bernabeu” Levanten.