Ndeshjet e Premier Leagues në Londër sërish pa tifozë

Gjashtë klubeve të Premier Leagues nga Londra nuk do t’u lejohen përsëri tifozët në ndeshje, pasi kryeqyteti britanik u vendos në nivelin më të ashpër të kufizimeve për shkak të numrit në rritje të rasteve me COVID-19.

Vendimi nga Qeveria britanike, i cili hyn në fuqi të mërkurën, lë vetëm katër klube të divizionit elitar të Anglisë në zonat ku lejohen maksimumi dy mijë tifozë nëpër stadiume. Skuadrave që do t’u lejohet prania e tifozëve në tribuna janë Evertoni e Liverpooli në bregun perëndimor dhe Brightoni e Southamptoni në bregdetin jugor.

Me vendimin e ri, klubet si Arsenali, Chelsea, Crystal Palace, Fulham, Tottenham dhe West Ham United duhet të mbyllin stadiumet për tifozët vetëm dy javë pasi ata u lejuan të ktheheshin, me Londrën që hyri në nivelin e tretë të kufizimeve. Autoritetet në Manchester kanë kërkuar që qyteti veriperëndimor të bjerë në nivelin e dytë të kufizimeve për COVID-19, në mënyrë që të lejohet kthimi i pjesshëm i tifozëve në stadiumet “Etihad” dhe “Old Trafford” për herë të parë që nga muaji mars.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, ndërmori veprime të shpejta pasi pa “rritje të rasteve” në Londër. Në fakt ai mori për bazë disa nga zonat ku rastet me koronavirus po dyfishohen çdo shtatë ditë.

“Ishim të detyruar të ndërmerrnim një veprim të tillë dhe më vjen keq për klubet nga Londra që duhet t’i mbyllin stadiumet vetëm dy javë pasi i rihapën për një pjesë të tifozëve”, tha ai.

Kjo do të thotë se në xhiron e 13-të të Premier Leagues, që luhet këtë mesjavë, vetëm përballja e dy skuadrave të para, Liverpoolit e Tottenhamit, që zhvillohet të mërkurën mbrëma, do të ketë një numër prej dy mijë tifozëve në stadiumin “Anfield Road” për të përcjellë duelin mes kampionit në fuqi të Anglisë dhe liderit aktual. Të dyja skuadrat kanë tubuar nga 25 pikë, por Tottenhami është lider në tabelë falë goldallimit më të mirë se Liverpooli.

Vendimi më i ri i Qeverisë britanike për t’i mbyllur stadiumet e ekipeve të Londrës ka hidhëruar shumë trajnerin e Chelseat, Frank Lampard. Chelsea javën e shkuar mirëpriti tifozët në stadiumin “Stamford Bridge” për herë të parë që nga muaji mars dhe trajneri Lampard insistoi se ata është dashur të lejohen ende në stadiume pavarësisht kufizimeve më të ashpra për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

“Jam pak i zhgënjyer, sepse rikthimi i tifozëve javën e shkuar më gëzoi pa masë për shkak se u pa ndikimi i tyre tek ekipi. Unë nuk po i them Qeverisë së çfarë duhet të bëjë, por mendoj se tifozët është dashur të lejohen në tribuna për shkak se të gjitha klubet do të mund t’i kishin kontrolluar nga dy mijë tifozë në stadiume”, është shprehur Lampard.

Vendimi i ri, do të thotë se Chelsea ndeshjen e ardhshme në shtëpi, atë kundër West Hamit (21 dhjetor), do ta luajë prapa dyerve të mbyllura.

“Situata nuk është aq kritike pasi ne dëshmuam javën e shkuar se mund t’u përmbahemi masave pas kthimit të tifozëve në tribuna. Jo vetëm Chelsea, por të gjitha klubet dëshmuan një gjë të tillë dhe për këtë arsye mendoj se Qeveria është dashur të vazhdojë të lejojë numrin e kufizuar të tifozëve në tribuna”, insistoi Lampard.

Reagim për vendimin e Qeverisë britanike ka ardhur edhe nga skuadra tjetër nga Londra, Arsenali.

“Jemi të zhgënjyer të konfirmojmë se nuk do të jemi në gjendje të mirëpresim tifozët në stadiumin tonë për ndeshjen kampionale kundër Southamptonit, që e luajmë të mërkurën”, ka shkruar klubi londinez në “Twitter”. \ AP