La Liga

Ndeshja Barcelona-Girona nuk do të zhvillohet në SHBA

Ishte planifikuar që ndeshja e xhiros së 21-të e kampionatit spanjoll mes Gironës dhe Barcelonës të zhvillohej në Miami në janar të vitit të ardhshëm, por drejtues të La Ligas kanë konfirmuar se takimi nuk do të luhet në SHBA.

La Liga kishte arritur marrëveshje 15 vjeçare me kompaninë “Relevant Sports” për të zhvilluar ndeshje të Primera Division në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por klubi i Barcelonës lëshoi një komunikatë ku tregohej se për shkak të mungesës së mbështetjes rreth kësaj ideje nuk do të luajnë ndeshjen ndaj Gironës në Miami, gjersa “Blaugranat” e kanë lënë të hapur mundësinë për ta aplikuar në të ardhmen këtë ide.

“Bordi i drejtorëve të Barcelonës ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja për të zhvilluar ndeshjen me Gironën në Miami, pas mungesës së konsesusit lidhur me këtë propozim. Barcelona vazhdon të jetë në dispozicion të luajë ndeshje të La Ligas në Miami, dhe jemi pajtuar që të ardhurat të shpërndahen për të gjitha klubet e Primera dhe Segunda Division, të ketë kritere të njëjta për të drejtat televizive, por mendojmë se ky projekt nuk do të marrë jetë derisa nuk ka marrëveshje midis të gjitha palëve”, shkruhet në komunikatën e Barcelonës.

La Liga falenderoi Barcelonën dhe Gironën për gatishmërinë e treguar që kjo ndeshje të zhvillohej në SHBA, teksa siguroi se në të ardhmen ky projekt do të jetësohet duke respektuar marrëveshjen 15 vjeçare të arritur me “Relevant Sports”.

Presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino në muajin tetor kishte deklaruar se insitucioni më i rëndësishëm i futbollit do të bllokojë çdo tentativë për të zhvilluar ndeshje në SHBA, ndërsa edhe Shoqata Spanjolle e Futbollistëve doli kundër kësaj ideje duke përmendur si argument shëndetin e futbollistëve.