Drita-Liria

Ndërpritet seria pozitive e Dritës, barazon në shtëpi me Lirinë

Drita është ndalur në barazim 1-1 para adhuruesve të tyre nga Liria e Prizrenit.

Vetëm pas pesë minutave lojë vendasit krijuan epërsi, kur Muharrem Jashari asistoi bukur te Besnik Krasniqi i cili realizoi nga afërsia për 1-0.

Drita vazhdoi dominimin në pjesën e parë, teksa krijoi shumë raste të mira shënimi.

Padyshim që rasti më i mirë iu dha Blend Baftiut, por përkundër se kishte të lirë dy lojtarë u mundua të shënoj me parabolë përballë portierit Shala dhe dështoi.

Gjithsesi pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të gjilanasve 1-0.

Edhe në pjesën e dytë Drita ishte ajo që kishte më shumë nga loja, kur në minutën e 66-të shënoi për 2-0 me Astrit Thaqin, por ky gol u anulua shkaku i pozitës jashtë loje.

Gjashtë minuta më vonë ishin mysafirët që dolën në një kundërsulm të shpejtë dhe Prins Tjiueza barazoi shifrat në 1-1.

Deri në fund përkundër insistimit nga skuadra gjilanase gola më nuk pati dhe rezultati përfundimtar ishte baras 1-1.

Drita vazhdon të mbetet në vendin e dytë me 22 pikë, katër më pak se lideri Ballkani, derisa Liria ndodhet e parafundit në tabelë me shtatë pikë.