Ndërmjetësimi i Putinit nuk e qetëson konfliktin e Azerbajxhanit dhe Armenisë, vetëm sa e nxit atë

Në javën e kaluar, Armenia dhe Azerbajxhani raportuan sërish ushtarë të vrarë nga konflikti që e kishte ndërmjetësuar Rusia. Konflikti në mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ende nuk po i shihet fundit, pavarësisht që presidenti i Rusisë, Vladimir Putini, e ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi në mes të dyja vendeve.

Por, për njohësit e politikave të ish Bashkimit Sovjetik, ndërmjetësimi i Putinit po shihet me shqetësim. Ish-gazetari dhe profesori Harry Tamrazian, thotë se Rusia administron me enklavën e kontestuar të Nagorno Karabakut, nga momenti që janë vendosur të ashtuquajturit paqeruajtës rusë.

“Është e vërtetë që Rusia tani thekson se zona de-jure e Nagorno Karabakut është pjesë e Azerbajxhanit. Por, de facto, tani është një enklavë ruse. Atje ka paqeruajtës rusë. Rusia tani është bërë mbrojtëse e sigurisë, jo Armenia. Madje, ata po flasin për ta bërë rusishten gjuhë të Karabakut. Unë mendoj që njerëzit në Karabak veçse flasin rusisht. Kështu që po, në thelb Karabaku tani është nën kontrollin e Rusisë. Dhe, për Rusinë, është një aset strategjik në Kaukaz të cilin ata nuk duan ta humbin – edhe pse thonë se teknikisht, natyrisht, është pjesë e Azerbajxhanit”, thotë ai.

Në anën tjetër, profesori i politikave ndërkombëtare, Tomas Stephen, thotë se Rusia e ka në dobi ta mbaj këtë rajon jo stabil, sepse është furnizuesi kryesor i armatimit. “Arsyeja e parë është se konkurrenca rajonale po përpiqet të shtrihet në vijën e Kaukazit. Këtu është e dobishme të kujtojmë se Rusia ushqehet nga konflikti midis dy vendeve. Ky konflikt i ofron Rusisë një mundësi të re për të forcuar influencën e saj në rajon. Edhe pse Rusia ka formuar strategjinë e saj kryesore mbi Armeninë, ajo mbetet furnizuesi më i madh i armëve si për Armeninë, ashtu edhe për Azerbajxhanin. Paqëndrueshmëria në rajon është një arsye e rëndësishme që i ofron Rusisë një mundësi të re për shitjen e armëve të dyja vendeve”, thotë ai.

Sipas profesorit Stephen, çdo ndërhyrje e Rusisë nuk ka dëshmuar se do të sjell paqe në atë vend. “Jemi dëshmitar të zotimeve që i kishte dhënë Rusia që nuk do të ndërhynte në Ukrainë, por e bëri dhe sot është aneksuar një pjesë e Ukrainës nga apetitet e Putinit. Kështu që pa ndërhyrjen e SHBA-së dhe vendeve të Evropës në këtë vend nuk do të ketë paqe”, thotë ai.

Azerbajxhani dhe Armenia janë përfshirë në një konflikt mbi rajonin malor që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ato zhvilluan një luftë që përfundoi më 1994 në të cilën rreth 30,000 persona u vranë dhe qindra mijëra të tjerë u zhvendosen.

Një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga Rusia mundësoi vendosjen e gati 2.000 paqeruajtësve rusë për të garantuar sigurinë në enklavë dhe lidhjen e vetme tokësore me Armeninë – të ashtuquajturin korridor Lachin përmes Azerbajxhanit jugperëndimor.