Haaland

E quajti lojtar të ligës së dytë, Haaland vjen me një përgjigje të ashpër ndaj Roy Keane

Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, ka dhënë një përgjigje të shkurtër, por të ashpër në drejtim të Roy Keane pasi shënoi katër gola në duelin ndaj Wolvesit.

Në muajin mars, pasi dështoi që të kishte një impakt në ndeshjen ndaj rivalit për titull Arsenali, Keane e kishte përshkruar lojën e përgjithshme të norvegjezit si të ngjashme me një lojtar të ligës së dytë.

Në një intervistë të dhënë për Sky Sports, Keane shpejt mori vëmendjen e të gjithëve duke goditur 23-vjeçarin për paraqitjen e tij të zbehtë ndaj ‘Topçinjve’.

“Niveli i lojës së tij të përgjithshme është i dobët, dhe jo vetëm sot. Përballë portierit, ai është më i miri në botë, por për lojën që bënë në përgjithësi, për një lojtar të tillë, është shumë e dobët”.

“Ai duhet të përmirësohet në këtë aspekt, ai është pothuajse si një lojtar i ligës së dytë, kështu e shoh atë”, kishte thënë Keane.

Për fjalët e ish-legjendës së Manchester United, kishte reaguar edhe trajneri i Cityt, Pep Guardiola, i cili e kishte përshkruar Halaandin si ‘sulmuesin më të mirë në botë’ i cili ka luajtur një rol kryesor në fitimin e tripletës sezonin e kaluar.

Kur u pyet nga mediumi holandez Viaplay nëse komenti i Keane e kishte ‘ndezur atë’ në javët e fundit, Haaland u përgjigj: Në të vërtetë nuk më intereson për atë njeri, kështu që gjithçka është në rregull.