Ndalja e pagës për grevistët, po konsiderohet e kundërligjshme

Dje, qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk do të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit të cilët nuk kanë punuar gjatë muajit shtator dhe ishin pjesë e grevës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, ndërsa në anën tjetër, janë ekzekutuar pagat për shërbyesit civilë të cilit kanë qenë në grevë.

Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i cili në një prononcim për media është shprehur se pagat kanë dalë vetëm për ata që kanë kryer përgjegjësitë.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë Kryeziu për “Zëri.info”.

Në anën tjetër, shërbyesit civilë i kanë marrë pagat e tyre.

Ali Sefaj, pjesë e Këshillit grevist ka konfirmuar se shërbyesve civilë të cilët kanë qenë në grevë sot u kanë dalë pagat e tyre, pavarësisht se Qeveria kishte thënë se pagat do t’iu dalin vetëm atyre që kanë qenë në punë.

Ai ka thënë se mos ekzekutimi i pagave vetëm për mësimdhënësit grevistë shihet si një tendencë për persekutim të tyre dhe duket sikur Qeverisë Kurti i ka konvenuar greva.

Por, si rregullohet me ligj kjo çështje? Së paku dy njohës të çështjeve ligjore dhe të drejtësisë kanë deklaruar se është e kundërligjshme që t’iu ndalen pagat grevistëve.

Njohësi i Kushtetutës, Enver Hasani ditë më parë në një intervistë për Betimi për Drejtësi kishte deklaruar se ndalimi i pagave është i kundërligjshëm dhe të afektuarit duhet të ndjekin rrugët gjyqësore dhe do të fitojnë.

“Një ndër standardet kryesore është kjo që do të thotë që ndalohet veçanërisht kur bëhet në mënyrë administrative ndalimi i pagave dhe ata që janë të afektuar duhet të ndjekin rrugët gjyqësore dhe jam shumë i sigurt që me gjyq i fitojnë dhe kjo çështje është e qartë, është standard bazik se përndryshe nuk do të kishte grevë. Caktohen cilat kategori nuk mund të bëjnë grevë.”, tha ai.

I pyetur nëse po thotë se qeveria po vepron kundërligjshëm me ndalimin e pagës, Hasani është shprehur “pikërisht”.

“Dhe kryerja e shërbimeve minimale që është një standard tjetër, që e ka edhe ligji jonë, dhe ato mund të vlerësohen nga një organ i tretë, nuk mund të vlerësohen në mënyrë administrative, unë besoj se është e kundërligjshme dhe këta duhet të ndjekin rrugët ligjore, këta që janë të afektuar.”, ka thënë ai më tutje.

Në anën tjetër, edhe Ehat Miftaraj, njohës i çështjeve të drejtësisë sot ka deklaruar se është veprim i kundërligjshëm ndalja e pagës për grevistët. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook madje ka kalkuluar koston se sa do t’i kushtojë qeverisë që të paguajë një mësimdhënës që vendos t’i padisë për mosekzekutim të pagës.

“Mos ekzekutimi i pagave per grevistet eshte ne kundershtim me ligj. Eshte persekutim ndaj grevisteve. Perndryshe, secili grevist qe paraqet Padi ne gjykate, perveq pages, pastaj do te kompenzohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamaten ligjore. Me fjale tjera, nga nje page qe mund te jete 480 Euro per nje muaj, shteti do te paguaj dikund 1500 Euro. Ne fund faturen e paguan taksapaguesi. P.S. Leximi i ligjit dhe interpretimi i ligjit dallon.”, ka deklaruar Miftaraj.

Në anën tjetër, eksperti i arsimit në vend, Rinor Qehaja tha për lajmi.net se interpretimi i ligjit për greva mund edhe të kufizoj pagën, por se nuk e gjykon që kjo është racionale të bëhet në këtë situatë.

“Interpretimi i ligjit për greva mund edhe të kufizoj pagën por nuk gjykoj që kjo është racionale të bëhet në këtë situatë, dhe aq më shumë ku na u dëshmua që një përqindje e madhe e mësimdhënësve ishin kundër grevës, por me shumë incersion qëndruan në të”,tha ai.

Ai tha se të njëjtit janë goditur pas shpine nga Qeveria e Kosovës.

“Nga informacionet qe kemi, fatkeqësisht pagat nuk janë ekzekutuar, qeveria Kurti e bëri edhe gabimin e radhës, në vend të një mesazhi urues, me deklaratat e tyre dolën që nuk do të ketë paga.Mos të harrojë qeveria, ajo nuk ka të drejtë t’i ndalojë pagat, sepse ligji i grevave thotë diçka tjetër”, tha ai në Info Magazine.

Jasharaj tha po ashtu se ky mesazh është që Kurti ka pasur dëshirë që të vazhdojë greva edhe më tutje.

“Është një goditje dhe një mesazh i keq, dhe qeveria Kurti ka pasur dëshirë që të vazhdojë greva, është një ndëshkim i keq, një mesazh i keq, duke i shkelur të gjitha ligjet, edhe po të ishte ndryshe me ligje, qeveri duhet të kalonte veten dhe të procedonte pagat.Qeveria ka goditur pas shpine kësaj radhe, në vend të mesazhe pozitive në vend të ulemi dhe të bëjmë çmos që vitin shkollor të vazhdojmë me rrjedha të mbara dhe të japim kontribut të çmuar për të arritur edhe ata që është humbur nga greva, ajo sjellë një vendim”, shtoi ai.

Vendimi i Qeverisë për mosekzekutimin e pagave është parë si “dënim”, “tentim për disciplinim”, “hakmarrje” e çfarë jo tjetër nga shoqëria civile, partitë opozitare dhe aktivistë në Kosovë, ndërsa kjo çështje mbetet të shihet se çfarë epilogu do të marrë ditët në vazhdim.