NBA: Miami e nis me humbje sezonin e ri, Sacramento fiton ndaj Denver

Denver Nuggets-Sacramento Kings ka qenë një nga sfidat më spektakolare të javës së parë në NBA, me miqtë që ia dolën të triumfojnë me vetëm 2 pikë diferencë, vetëm pas luajtjes së kohës shtesë, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 112-112.

Në “Ball Arena” të Denverit, sfida nisi shumë mirë për Nuggets, të cilët të udhëhequr edhe nga forma mjaft e mirë e serbit Jokiç, arritën të fitojnë fraksionin e parë dhe të dytë, por gabuan totalisht në të tretin, që foli për miqtë e Sacramento Kings.

Vendasit u kthyen mirë në lojë në pjesën e fundit dhe arritën të rikthejnë baraspeshën, duke çuar ndeshjen në kohën shtesë, aty ku u duk se Denver do të merrte fitoren, pasi në një moment rezultati shkoi 122-118, por në mënyrë surprizë Sacramento shënoi 6 pikë në momentet e fundit dhe përmbysi gjithçka.

Pas humbjes dje të kampionëve në fuqi Los Angeles Lakers, dështoi në ndeshjen e parë edhe skuadra finaliste, Miami Heat, që u mposht me rezultatin 113-107 në transfertën ndaj Orlando Magic.

Në “Amway Center” të Orlandos, pjesa e parë dhe e tretë shkuan në favor të Miamit, por dy të tjerët në favor të vendasve, të cilët fraksionin e fundit e fituan me 10 pikë diferencë dhe ia dolën ta nisin mbarë sezonin.

Një tjetër sfidë mjaft interesante ishte edhe ajo e zhvilluar në “TD Garden” të Bostonit, me Celtics që fituan me vetëm 1 pikë diferencë ndaj Milwaukee Bucks, me shifrat finale 122-121. Greku Antetokounmpo ishte sërish protagonist për Bucks, me 35 pikë të shënuar, 13 topa të rikuperuar dhe 2 asiste, ndërsa për vendasit spikatën Brown dhe Tatum.

Kanadezët e Toronto Raptors e nisën me humbje sezonin, pasi u mposhtën 99-113 nga New Orleans Pelicans, në një sfidë ku kamerunasi Siakam nuk arriti të ngjitet në nivelin e pritshmërive dhe e mbylli me vetëm 20 pikë të shënuar.

Ndërkohë kamerunasi tjetër Joel Embiid u shfaq protagonist me 29 pikë, 14 topa të rikuperuar dhe 2 asiste, duke ndihmuar që Philadelphia 76ers ta nisë sezonin me fitore 113-107 ndaj Washington Wizards.

Në ndeshjet e tjera, San Antonio Spurs triumfoi me shifrat 119-131 në transfertën ndaj Memphis Grizzlies, e udhëhequr nga dyshja DeRozan-Murray, ndërsa Cleveland Cavaliers mposhti 121-114 Charlotte Hornets.