Policia e Kosovës, Njësia e Krimeve Ekonomike në bashkëpunim me organet e tjera të hetuesisë kanë kryer sot një aksion në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Korrupisonit, Nazim Sahiti, përmes një konference për medie ka treguar më tepër rreth këtij aksioni, me ç’rast ka thënë se vlera e shumës së parave të sekuestruara gjatë këtij aksioni është afro 400 mijë euro.

 “Janë konfiskuar diku rreth 400 mijë euro. Në kuadër të aksionit janë bastisur edhe disa lokacione në Istog, Gjilan, Lipjan dhe Pejë”, ka treguar ai.

Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Nazim Sahiti, njihet edhe për “aksione” tjera, shkruan Ballkani.info.

Sahiti në vitin 2018 është akuzuar nga ish- drejtori i Telekomit, Agron Mustafa për rrahje brutale.

Sipas Mustafës, drejtori i Sektorit për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti e kishte sulmuar së bashku me një polic tjetër në lagjen “Te Qafa” në Prishtinë dhe për këtë e tërë ngjarja ishte e filmuar nga kamerat.

Por, një gjë të tillë e kishte mohuar Sahiti.

Ai kishte thënë se Agron Mustafa ka pasur një mosmarrëveshje me kolegun e tij dhe ai ishte duke e pritur në veturë.

Pas këtij rastit, me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Nazim Sahiti ishte larguar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupisonit në Policinë e Kosovës.

Por, muajin e kaluar Sahiti është rikthyer në këtë pozitë pas padisë që kishte bërë për anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Duke aprovuar padinë e Sahitit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 05.01.2021 e kishte anuluar vendimin e Policisë së Kosovës për sistemimin e Sahitit nga pozita e Drejtorit të Krimeve Ekonomike në Zyrtarë për Kontroll të Kualitetit në Departamentin për Kufij. Themelorja e kishte obliguar Policinë e Kosovës që Sahitin ta kthej në pozitën e mëparshme.

Gjithashtu, Themelorja e kishte obliguar të paditurën që Sahitit t’ia paguajë diferencën e pagës dhe të gjitha benefitet tjera ligjore në shumë prej 761.80 euro./Ballkani.info./