Qytetarë të shumtë nga e gjithë Kosova për tri ditë radhazi u përkulën para veprës së komandantit legjendar Adem Jashari, familjarëve të tij dhe të rënëve në marsin e 1998-ës në Prekaz. Si çdo përvjetor, në përmbylljen e manifestimit për nder të rënies heroike të familjes Jashari, u ndezën 56 pishtarë përreth varrezave.

Aktivitete të shumta janë shënuar më 5 dhe 6 mars, në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Me atë që njihet si “Nata e Zjarreve” përmbyllet edhe Epopeja e UÇK-së, që shënon 26-vjetorin e fillimit të luftës në Kosovë.

Qytetarë nga vende të ndryshme ishin të pranishëm në Natën e Zjarreve në Prekaz, ndër ta edhe Ibrahim Mazreku i cili tha se është falënderues për familjen Jashari dhe popullin shqiptar.

“Jam nga Malisheva. Në këtë vend i njoh shumë. Jam falënderues këtij populli që ka luftuar për popullin shqiptar. Shumë jam krenar”, tha ai.

Edhe Qamil Sadiku që kishte ardhur nga Maqedonia, tha se është krenar kur e viziton Prekazin.

“Krenar jemi shumë krenohem kur e shoh këtë vend të shenjtë këtu. Nga Maqedonia. E kemi obligim ta vizitojmë këtë vend të shenjtë”, ka thënë ai.

Ndërkaq banori nga Prekazi Ahmet Mehmeti ka kujtuar sulmin ndaj familjes Jashari 26 vjet më parë.

“Unë jetoj 6 kilometra larg nga këtu. Po ndihem shumë mirë, sepse e kam përjetuar qe nga dita e parë deri në ditën e fundit. Vetëm se kam qenë jashtë rrethit kur është rrethuar ky vend. Këtu nuk kemi qëlluar shumica e njerëzve dhe shokëve të tij nuk kanë qenë këtu në atë moment. Ademi ka lënë shumë fjalë. Një që e di ka thënë se nuk kemi ku të shkojmë që nga këtu herë do kur e dimë që kanë me na ra, por nuk kemi ku të shkojmë nga këtu dhe këtu do të vdesim”, tha ai.

Hazir Halili, bashkë luftëtari i Adem Jasharit, tha se falë tij është bërë ushtar dhe ka luftuar për Kosovën.

“Vij nga Drenica. Ndihem mirë kur vijmë këtu. Vetë kam qenë luftëtar, kam luftuar. Me Ademin kam qenë ushtari i ish-Jugosllavisë, e kam pasur shokë e kam njohur nga afër. Kur isha ushtar i Jugosllavisë ishim te një park, na kanë dërguar të bëjmë ushtrime. Na dërguan te një lum dhe të gjithë ranë në ujë. Unë nuk rashë. Ademi më tha duhet të biesh, sepse kur të bëhet lufta në Kosovë na duhen ushtarë. Fjala e tij më bëri ushtar,” ka thënë Halili.

Sulmi i tretë që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në Prekaz, 22 prej të cilëve familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetuan vetëm Bashkimi, djali i Rifat Jasharit, si dhe Besarta, vajza e Hamzë Jasharit, e cila kishte përjetuar tmerrin.

Epopeja e UÇK-së përmbyllet sonte me një koncert kulturo-artistik në Skenderaj.

VIDEO BONUS: Momenti kur Policia i largon me forcë aktivistët e PSD-së nga Biblioteka