Naser Rugova: Mustafa po duket se u pendua që ka dhënë dorëheqje, ne do ecim përpara, por pa ju

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nase Rugova, ka reaguar pas deklaratës së Isa Mustafës, i cili tha se nuk ka dhënë dorëheqje nga pendesa, por si gjest moral.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rugova ka thënë se atij i duket se Mustafa është penduar që ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së.

Sipas tij, kur nuk ke çka flet, më mirë është të mos flasësh fare sepse vetëm i demotivon njerëzit edhe më shumë.

“Aman, na kurseni prej apologjive tuaja. Koha e përrallave dhe e riciklimit të figurave të harxhuara ka marr fund. Ne do të ecim përpara, por pa ju!”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Ndryshe, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e kreut të partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas humbjes së thellë që pësoi ky subjekt në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Përveç Mustafës, dorëheqje kanë dhënë edhe të gjithë anëtarët tjerë të kryesisë së partisë, shkruan Reporteri.net.

LDK nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.

Ajo renditet në vendin e tretë me 103,507 vota apo 13,08%.

Ndërkaq LVV numëron 378,550 vota, apo 47,85%. Partia e Albin Kurtit ndiqet nga PDK-ja në vend të dytë, ka marrë 137,722 vota apo 17,41%.

Ky është postimi i plotë i Rugovës:

E lexova reagimin e Kryetarit të dorëhequr. Mua mu duk sikur ishte penduar që kishte dhënë dorëheqje. Shumë keq! Kur nuk ke çka flet, më mirë është të mos flasësh fare, sepse vetëm sa i demotivon njerëzit edhe më shumë. Aman, na kurseni prej apologjive tuaja. Koha e përrallave dhe e riciklimit të figurave të harxhuara ka marr fund. Ne do të ecim përpara, por pa ju!