Komuna e Vitisë pati nisur ndërtimin e një objekti në këtë qytet për njësitin e zjarrfikësve , por punimet u ndaluan në muajin tetor të viti të kaluar.
E meqë objekti nuk është përfunduar, dikush nga qytetarët ka filluar të shfrytëzojë atë për ngrohje dhe përdorim të substancave narkotike.
Bile para dy dite dikush i kishte vënë edhe zjarrin këtij objekti dhe disa veshmbathjeve që u përdornin nga persona të panjohur.
Zëvendës komandanti i njësitit të zjarrfikësve në Viti, Naser Abazi tha për Ballkani.info se këtë keqpërdorim dikush është duke e bërë me qëllime të këqija.
“Dikujt po i konvenon ta bëjë një gjë të tillë, por kujt nuk po e di. Para dy ditëve dikush ia vuri edhe flakën objektit dhe disa gjërave që ata vet i sillnin brenda objektit”, shtoi Abazi.
Ndryshe, zjarrfikësit në komunën e Vitisë tash e një kohë të gjatë funksionojnë në një objekt që nuk i plotëson as kushtet minimale. /Ballkani.info/











