Napoli ndalet mes polemikash, Giacomelli e VAR dështojnë në “San Paolo”

Napoli ndalet sërish, këtë herë në një barazim 2-2 ndaj Atalantës në “San Paolo”, por duket se polemikat e këtij takimi do të vazhdojnë shumë gjatë, pasi VAR dhe arbitri Giacomelli dështuan totalisht me vendimet e tyre.

Polemikat shpërthyen në minutën e fundit të kohës së rregullt, ku nga një penallti e pretenduar për vendasit, situata kaloi në zonën tjetër, ku Iliçiç u zbulua në zonë dhe arriti të shënojë golin e barazimit, ndërsa protestat e vendasve ishin të pandalshme.

Giacomelli refuzoi të rishikojë në VAR aksionin e penalltisë dhe përdori kartonin e kuq për të larguar nga pankina Carlo Ancelottin dhe të birin, ndërsa u deshën disa minuta që të bindeshin futbollistët e Napolit për të vijuar lojën.

Në fakt pamjet filmike konfirmuan se napolitanët kishin të drejtë, pasi mbrojtësi danez i Atalantës, Simon Kjaer nuk u interesua fare për topin, por mbajti me duar sulmuesin LLorente, duke mos e lënë të kërcejë në zonë.

Vlen të theksohet se Napoli shënoi golat me Maksimoviç në pjesën e parë dhe Milik në të dytën, ndërsa Atalanta barazoi fillimisht me Freuler në pjesën e parë dhe më pas me sulmuesin Iliçiç, duke marrë një pikë me mjaft vlera.

Nga ana tjetër, me këtë barazim Napoli komplikon totalisht pretendimet për titullin kampion, pasi shkon në kuotën e 18 pikëve, por rrezikon të shohë Juventusin 9 pikë para vetes, që në fundin e javës së 10.

loading…