Barcelona “peshkoi” Napolin në shortin e Champions League. Kampionët e Spanjës do të sfidojnë në muajin shkurt kampionët e Italisë në dy duele të zjarrta për një biletë në çerekfinale.
Drejtori sportiv i klubit katalanas, Deco komentoi rivalët italianë, duke theksuar se ndeshja në “Diego Maradona” nuk do të jetë aspak e thjeshtë për skuadrën e Xavit.
“Mendoj se është një sfidë shumë e bukur dhe argëtuese mes dy skuadrave që kanë shumë cilësi dhe që duan të luajnë futboll të mirë.
Napoli ka fituar kampionatin dhe ka në përbërje lojtarë shumë të rëndësishëm. Ata e kanë zakon të luajnë këto lloj sfidash. Sigurisht që përballja në ‘Diego Maradona’ do të jetë shumë e vështirë.
Të kaltrit janë rikthyer në formë, e kanë marrë veten. Fati nuk ekziston në këtë kompeticion. Është pak mëkat të kapesh pas fatit në futboll.
Rëndësi ka që të mbërrijmë në gjendje të mirë në dy duelet ndaj Napolit. Ne po luajmë mirë në shumë momente. Kemi patur disa probleme me lëndimet, por do të rritemi dhe do të kthehemi të mëdhenj.
Shpresojmë dhe urojmë që t’i kemi të gjithë futbollistët në dispozicion kur të vijë momenti të përballemi me Napolin”, theksoi 46-vjeçari brazilian.







