Gerard Lopez, president i Lille thotë se e ka pranuar ofertën e Napolit prej 80 milionë eurosh për sulmuesin Nicolas Pepe. Tash, “topi” është tek futbollisti.

Presidenti i Lille, Gerard Lopez ka zbuluar se ka arritur marrëveshje me Napolin për shitjen e yllit të skuadrës, Nicolas Pepe për një shifër rekorde.

Në një intervistë për “Tuttosport”, kreu i klubit francez ka thënë se ka marrë shumë telefonata për sulmuesin, por që ka vendosur t’ia shesë atë Napolit.

Sidoqoftë, do të jetë futbollisti ai që do të vendosë tash nëse dëshiron të transferohet në “San Paolo” apo e preferon ndonjë destinacion tjetër.

“Kanë arritur shumë oferta për Pepen, por edhe për Rafael Leaon. Për Pepen kemi marrë oferta që na kënaqin ekonomikisht nga 4 klube. Oferta e Napolit prej 80 milionë eurosh ishte e kënaqshme për ne. Tash i përket lojtarit të vendos nëse dëshiron të shkojë. Të hënën Pepe do të kthehet nga pushimet dhe besoj se kah mesi i javës do të zgjidhet gjithçka”, u shpreh Lopez.

Pepen e duan mbi të gjitha klubet e Premierligës, të cilat qëndrojnë më mirë financiarisht.