Argjentinasi

Nantes vendos të pensionojë numrin 9 në shenjë nderimi për Salan

Klubi francez, Nantes, ka vendosur ta pensionojë fanellën me numër nëntë, të cilën më herët e mbante Emiliano Sala, vdekja e të cilit u konfirmua dje nga Policia e Dorsetit.

Mesazhe ngushëlluese për familjet dhe të afërmit e tjerë të sulmuesit argjentinas i kanë vërshuar rrjetet sociale gjatë orëve të fundit, pasi që mbrëmë u konfirmua se ishte gjetur trupi i tij në fund të detit.

Këto mesazhe janë mirëpritur nga ish-klubi i Salas, Nantes. Për më tepër, ata kanë bërë të ditur se e kanë pensionuar fanellën me numër nëntë në shenjë respekti për Salan, i cili luajti për klubin e Ligue 1 për katër vjet.

“Nantes e mësoi, fatkeqësisht, se trupi i gjetur në fund të detit është i Emiliano Salas. Ky lajm i ka dhënë fund një pritjeje të padurueshme. Emiliano do të mbetet përgjithmonë një legjendë që ka shkruar një pjesë të historisë së mrekullueshme të Nantesit”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga klubi.

“Jemi duke kaluar nëpër disa momente të vështira, ku po goditemi nga e realiteti i hidhur: Emi ka shkuar. Nderimet që iu bënë atij përshtaten me personalitetin e mrekullueshëm që ai e kishte. Nuk mund ta harrojmë këtë drame dhe lutemi që kërkimi të vazhdojë edhe për pilotin”.

Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.

Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.

Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe dje u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City, Emiliano Sala. Pas këtij lajmi, rrjetet sociale janë vërshuar nga mesazhe pikëllimi dhe ngushëllimi.