Tashmë që gjithçka është mbyllur, mungon vetëm zyrtarizimi, Radja Nainggolan ka folur për herë të parë si lojtar i Cagliarit.

Interi dhe skuadra sarde mbyllën marrëveshjen për huazimin për një sezon të mesfushorit belg i cili pasi është përshëndetur me shokët e tij më të ngushtë te Interi pas një darke që kishte organizuar në Milano, ka marrë rrugën drejt ishullit të Sardenjës që konsiderohet edhe si shtëpia e tij e dytë pasi më parë Nainggolan ka luajtur për 4 vite me Cagliarin.

Në fjalët e tij të para si lojtar i Cagliarit 31-vjeçari ka lëshuar një thumb për Interin që nuk besoi tek ai.

“Jam i lumtur që kthehem në shtëpi. Unë bëra një zgjedhje pak të detyruar, por në fund të fundit e mora këtë vendim dhe shpresoj të bëj mirë atje. Kam përparësi të tjera tani, kështu që ishte e lehtë për të bërë zgjedhjen në këtë rast. Tani sfidoj veten time. Do të kthehem te Cagliari dhe do përpiqem të provoj se Interi gaboi që më largoi”, u shpreh ylli belg.