Nagavci për Kushtetutën serbe: Po tentojmë ta pengojmë planin e Thaçit për një Qeveri që varet nga Beogradi

Nënkryetarja e VV-së, Arbërie Nagavci ka thënë se shkresa e VV-së e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, me anë të argumenteve juridike, kërkon që në Kosovë të mos veprohet ashtu si e parasheh Kushtetuta e Serbisë.

Nagavci ka thënë se ata kërkuan që të mos veprohet si në Serbi sepse pikërisht këtë po e bën presidenti Thaçi me LDK-në, duke synuar një qeveri që do të jetë e varur krejtësisht nga Beogradi.

Ajo është shprehur e bindur se vendimi i Kushtetues bazuar në argumentet e paraqitura do të jetë në favor të VV-së, shkruan ballkani.info

Reagimi i plotë:

Kur edhe avokatëve u mungojnë argumentet juridike dhe për pasojë merren me keqinformim, është një dëshmi më tepër se jemi në rrugë të drejtë.

Dekreti i Presidenti për mandatimin e kandidatit të LDK për Kryeministër, ka ardhur pas marrëveshjes më Listën Sërpska dhe kjo qeveri e synuar do të jetë e varur krejtësisht nga Beogradi.
Ky është një fakt i pamohueshëm, ashtu sikurse është e dukshme dhe shkelja e Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij në synimin për të krijuar këtë qeveri.

Si një nga nënshkrueset e Kërkesës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së dekretit, jam e bindur se argumentet janë në anën tonë dhe se përpjekja jonë ka të bëj edhe me mosvarshmërinë e Kosovës nga Serbia dhe për pengimin e planeve jo të mira për vendin, nga ana e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Shkresa jonë për Gjykatën Kushtetuese, me anë të argumenteve juridike, kërkon që në Kosovë të mos veprohet ashtu si e parasheh Kushtetuta e Serbisë, pra si një rrugë që nuk duhet ndjekur, sepse pikërisht këtë po bën Hashim Thaçi dhe LDK. Po veprojnë sipas normave kushtetuese të Serbisë dhe po anashkalojnë nenit 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.