Nagavci: Nga LDK-ja nuk pranojmë kushtëzime, Kurti do të jetë kryeministër

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, që pritet të jetë në këtë post edhe në legjislaturën e re, ka folur në Interaktiv të KTV-së dhe edhe për vazhdimin e bisedimeve për harmonizimin e programit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ajo ka thënë se nuk pranojnë kusht nga LDK-ja për postin e kryeministrit, teksa thotë se ka kaluar koha e pazareve politike.

“Për nesër kemi të caktuar një takim mes grupeve punuese. Në takimin e fundit që kanë pasur kryetari Kurti dhe nënkryetari Bislimi, me kryetarin e LDK-së Mustafa dhe kandidaten për kryeministre të kësaj partie, Osmani janë dakorduar që bisedat të vazhdojnë në nivel të grupeve punuese. Ne kemi votuar në Këshillin e Përgjithshëm që të jetë nënkryetari Besnik Bislimi dhe shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjofca, ndërsa nga ana tjetër me sa di janë Avdullah Hoti, Kujtim Shala dhe Lumir Abdixhiku”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se “puna e tyre është që të harmonizojnë programin qeverisës”.

“Jemi dakorduar që kryeministri të ketë vetëm 2 zëvendësministra, që qeveria të ketë 12 Ministri dhe 2 maksimum 3 zëvendësministra, në Ministri më të mëdha për shkak të fuzionimit”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se në ditët në vazhdim pret që takimet të jenë më të shpeshta dhe intensive, “në mënyrë që pas certifikimit të rezultateve të jemi gati me harmonizimin e programit”.

Kur ka folur për deklarimet e fundit të figurave të LDK-së, veçmas Lutfi Haziri, ajo thotë se në takimet mes krerëve të dy partive nuk ka pasur kushtëzime.

“Nuk ka pasur asnjë kushtëzim, as diskutime për ndarje të posteve. Ka pasur vetëm dakordim për numrin e ministrive. Nuk ka pasur ndonjë kushtëzim, dhe besojmë se kushtëzimet nuk duhet të jenë pengesë për vazhdimin e bashkëpunimit”, ka thënë ajo.

“Qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre. Ajo që është me rëndësi është se opozita e djeshme do të jetë qeveri e re, dhe na vjen mirë që edhe LDK-ja ka fituar. Ne e kemi pranuar si kërkesë legjitime të LDK-së që të pritet deri në certifikimin e rezultateve. Ndërkohë pati deklarata nga z. Haziri se Vjosa Osmani duhet të jetë kryeministre. Është dëshirë e natyrshme kjo e tyre, por tani jemi në një situatë te re. Ne kemi bërë ofertë që të shkojmë në listë të përbashkët dhe asaj t’i prijë zonja Osmani, nuk kanë pranuar. Qytetarët e kanë shprehur vullnetin e tyre, Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë dhe z. Kurti do të jetë kryeministër i ri i Kosovës, sepse legjitimitetin ja kanë dhënë populli”, ka thënë Nagavci.

“Duhet të vihet standard i ri në politikë, koha e pazareve politike ka përfunduar, koha kur partitë me pak përqindje qeverisin po ashtu ka kaluar. Ne nuk pranojmë kushtëzime, kushti i vetëm që e kemi është ndryshimi i qeverisjes së deritanishme”, ka thënë më tej ajo.

Nagavci ka thënë se për postin e kryeministrit kanë vendosur qytetarët, ndërsa ka shtuar se me LDK-në do të diskutojnë për pozitën e kryeparlamentarit.

Sipas saj, fillimisht do të bëhet harmonizimi i programit, ndërsa ka përsëritur se Ministria e Drejtësisë, ajo e Brendshme dhe ajo e Financave janë synim i VV-së.

Nagavci ka deklaruar se edhe porosia e miqve, me të cilët janë takuar pas 6 tetorit, ka qenë që sa më shpejtë të themelohen institucionet. Ka deklaruar se qeveria duhet të bëhet para muajit dhjetor, duke marrë parasysh se Ligji për Buxhetin duhet të miratohet sivjet.

loading…