Nadal dhe Federer kalojnë në rundin e rradhës të Australian Open

Rafael Nadal avancon në rundin e tretë të grand slamit të parë të vitit, Australian Open.

Numri 2 në botë iu imponua 3-0 me sete, (6-3, 6-2, 6.2) australianit Matthew Ebden. Një ndeshje e dominuar dhe fituar pa shumë probleme nga Nadal, që pati epërsi në të tre setet, duke konfirmuar se problemet fizike të ditëve të para të janarit tashmë janë lënë pas.

Më herët kishte siguruar avancimin edhe Roger Federer, që kaloi 3-0 me sete (7-6, 7-6, 6-3) britanikun Evans.

U kualifikua për më tej edhe bullgari Grigor Dimitrov, që mposhti 3-1 me sete (6-3, 6-7, 6-3, 7-5) uruguaianin Pablo Cuevas në një ndeshje që dhuroi emocione. Amerikanojugori u mundua të rezistonte, por e pati të pamundur të mposhtte tenistin ballkanas.

Te femrat spikati fitorja e ish kampiones së këtij turneu, gjermanes Angelique Kerber. Ish numri 1 në botë mundi 2-0 me sete (6-2, 6-3) brazilianen Beatriz Maia. Ndërsa çekja Petra Kvitova mposhti po 2-0 (6-1, 6-3) rumunen Irina Begu. Belinda Bencic e Zvicrës fitoi 2-1 ndaj kazakes Yulia Putintseva (7-5, 4-6, 6-2), duke avancuar më tej.