Nacho mendon se futbollistët do të sillen sikur Solari është trajner i përherëshëm

Santiago Solari është emëruar trajneri i përkohëshëm te Real Madridi, por mbrojtësi i “Los Blancos”, Nacho Fernandez thotë se futbollistët do ta kenë qasjen sikur të ishte trajner për tërë sezonin.

Julen Lopetegui u shkarkua të hënën nga detyra e trajnerit pas humbjes 5-1 në “El Claisco” përballë Barcelonës, ndërsa spekulohet se Real Madridi synon njërin mes Roberto Martinez ose Antonio Contes për ta pasuar ish trajnerin e Portos në stolin e kampionëve të Europës.

Megjithatë Nacho beson se Solari është një trajner i mirë që ka fituar shumë trofe me madrilienët dhe e njeh nga afër ambientin.

“Ne do të punojmë sikur Solari është trajner për të gjithë sezonin. Ai ka eksperiencë dhe ka fituar shumë tituj me Real Madridin. Ne futbollistët nuk i marrim vendimet lidhur me trajnerin kështu që vetëm do të presim. Skuadra ishte edhe me Lopeteguin, por na mungoi fati. Tani kemi një trajner të ri që është shumë i mirë dhe ne do të luftojmë për të deri në vdekje”, nënvizoi Nacho.

28 vjeçari e pranoi se ditët pas “El Clasicos” ishin të vështira por iu gëzua faktit se ndeshjet e ardhshme ku mund të korrigjonin gabimet ishin shumë afër.