Edhe pse e pranoi se ishte pjesërisht fajtor për eliminimin e Arsenalit nga EFL Cup, Shkodran Mustafi tha se klubi londinez ishte i pafat që humbi 5-4 në penallti kundër Liverpoolit në 1/8 e finales të mërkurën.
Qendërmbrojtësi shqiptar Mustafi shënoi në portën e vet në një ndeshje dramatike me plot dhjetë gola në barazimin 5-5 në kohë të rregullt në Anfield.
Ish mbrojtësi i Kombëtares së Gjermanisë e futi topin në rrjetën e portës së vet në përpjekje për ta larguar rrezikun në minutën e gjashtë të ndeshjes.
Arsenali luftoi fort dhe ishte buzë kalimit në çerekfinale, por një gol i vonshëm i Divock Origit në minutën e 94-të, e shpëtoi Liverpoolin nga eliminimi dhe bëri që fituesi të vendosej në penallti.
Dani Ceballos ishte lojtari i vetëm i Arsenalit që dështoi nga pika e bardhë, derisa të gjithë pesë lojtarët e Liverpoolit shënuan, duke e dërguar skuadrën e Jurgen Kloppit në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 5-4 në penallti.
Mustafi shkroi në Facebook pas ndeshjes, duke e pranuar gabimin dhe duke e qarë fatin e keq.

“Ishte një betejë e vështirë në Anfield, të cilës nuk i ndihmova duke e lënë ekipin në baltë, edhe pse luftuam për t’u rikthyer në lojë. Në fund ishim të pafat që humbëm në penallti”, shkroi Mustafi.
Carabao Cup ishte ndër garat e vetme ku Mustafi kishte shansin të luante, duke qenë në Unai Emery nuk e ka ftuar as si rezervistë në ndeshjet e Premierligës këtë sezon.
Shqiptari i ka vetëm pesë paraqitje deri tani këtë sezon për Arsenalin, tri në Ligën e Evropës dhe dy në Carabao Cup.







