Mustafa për mospajtimet Abdixhiku-Veliu: Nuk besoj që ka krizë në LDK, diskutimet e tyre mund të kenë zgjidhje

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se në këtë subjekt politik kanë lejuar që çdo herë të ketë diskutime dhe debate të brendshme dhe që shprehja e anëtarëve nuk është penguar kurrë.

Në Info Magazine të Klan Kosovës ai e ka thënë këtë kur ështe pyetur për mospajtueshmërinë në disa çështje mes kryetarit të tanishëm të LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe deputetit Agim Veliut.

“Tash mund të ndodhë kjo, nuk do të thotë që këto janë përplasje të brendshme dhe që tani LDK-ja është në një krizë. Unë besoj që në LDK ka forcë, ka vullnet që çdo gjë të tejkalohet, të diskutohen çështjet dhe të zgjidhen problemet”.

“Tani, çdo subjekt ka diferenca të brezave, të ideve dhe ka njerëz me përvoja të ndryshme. LDK ka shumë gjenerata sepse është parti që i ka kaluar 33 vjet, ka shumë gjenerata, prej themeluesve dhe njerëzve të rinj. Mendoj se të gjitha diskutimet janë konstruktive, diskutimet e tilla mund të gjejnë zgjidhje”.

Mustafa ka thënë se nuk është takuar deri tani asnjëherë me kryetarin e Prishtinës që është nga radhët e LDK-së, Përparim Ramën.

“Nuk kam argumente të them për qeverinë mirë apo keq, prapë është në ditët e para, uroj të punojë mirë. Nuk kam kontakte me të, nuk jam takuar kurrë me të. Unë vet kam qenë kryetar i Prishtinës, e përjetoj si shtëpinë time, gëzohem për çdo sukses të brendshëm, dëshira ime është të punohet mirë dhe të zgjidhet çdo problem në Prishtinë”.

Ish-kryeministri i vendit e ka komentuar edhe vendimin e institucioneve për moslejmin e mbajtjes së referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese, në Kosovë. Sipas tij, ky ishte një vendim shumë i arsyeshëm dhe se çdo vendim tjetër do të ishte i gabueshëm.

Ndërsa për zgjedhjet presidenciale të 3 prillit të Beogradit, Mustafa theksoi: “Qeverisë i takon të vlerësojë për këtë, ajo duhet të arrijë të bind faktorin ndërkombëtar që Serbia më të mos organizojë zgjedhje në Kosovë, që qytetarët serbë me dy nënshtetësi në Kosovë që janë duhet të shkojnë të votojnë në Serbi. Kjo do të ishte një zgjidhje e mirë më pas edhe për të gjitha qeveritë tjera”.