Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se ka realizuar një video konferencë me zyrtarë të lartë të Parlamentit Europian për përballjen e Kosovës me koronavirusin.

Mustafa tha se kishte një bisedë me zyrtarë të lartë të PE dhe të EPP’së, Andrey Kovatchev, David McAllister, Lukas Mandl dhe Patrick Voller, bashkë me të ishin Avdullah Hoti dhe Valon Halimi, i cili koordinon bashkëpunimin e LDK’së me EPP.

Kreu i LDK’së tha se bisedoi me ta për situatën me koronavirus në Kosovë dhe zhvillimet e fundit politike që kanë ndodhur e që priten të ndodhin në vend.

Postimi i plotë:

Sot kisha një video konferencë me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian dhe të EPP-së, z. Andrey Kovatchev, z. David McAllister, z.Lukas Mandl dhe z.Patrick Voller. Së bashku me mua ishin z. Avdullah Hoti dhe z. Valon Halimi, i cili koordinon bashkëpunimin e LDK-së me EPP.

Biseduam për mënyrën se si po e përballojmë situatën me COVID-19, për zhvillimet politike në javët e fundit dhe zhvillimet që pritet të ndodhin.

Ndamë qëndrimin se LDK dhe EPP promovojnë vlera të përbashkëta dhe se LDK-ja mbetet partner i EPP-së në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Jemi të bekuar që kemi miq të tillë në BE, të cilët do të na qëndrojnë në krah edhe në të ardhmen për të lehtësuar integrimin evropian të Kosovës.