Mustafa: Listat publikohen nesër, LDK nuk do të ketë asnjë person që ka probleme me ligjin

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa ka thënë se gjatë ditës së nesërme LDK do ta publikojë listën me të gjithë emrat e kandidatëve për deputetë.

“Ende nuk është përpiluar lista përfundimtare e LDK-së prandaj ajo do të përpilohet dhe dorëzohet nesër. Sot janë diskutuar një numër i madh i emrave të rinj dhe do të kemi të paktën 1/3 e kandidatëve të jenë gra. Nuk mund të flas për emra të përveçëm përveç Naser Osmanit i cili është vetë-deklaruar”, tha Mustafa para mediave.

Ai ka shtuar se në listën e LDK-së nuk do të ketë asnjë person i cili ka probleme me ligjin.

“LDK nuk do të ketë asnjë person që ka probleme me ligjin. Lista që LDK do ta propozojë do të jetë një listë e pastër e cila mbron ambiciet e qytetarëve. Në listën finale do të respektohen të gjitha parimet e LDK-së dhe të gjitha dispozitat ligjore. I njëjti rregull do të respektohet në të gjitha degët. Lista me emrat e përveçëm do të publikohen nesër”, tha ndër të tjera Mustafa.

loading…