Mustafa: Deklaratat nga VV-ja për ëndrrat e Kurtit në SHBA, shpërfaqin nivelin e pjekurisë individuale të tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vizitë zyrtare, ku edhe është duke zhvilluar takime me personalitete të ndryshme.

Në vazhdën e këtyre takimeve që Kurti po zhvillon në SHBA, sot është njoftuar se i pari i qeverisë është takuar me senatorin Gary Peters, kongresistin Andy Levin, por edhe me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

Rreth vizitës së Kurtit në SHBA dhe nivelit të këtyre takimeve, lajmi.net, ka kontaktuar ish kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën.

Mustafa, ka thënë se ai uron dhe dëshiron që kryeministri i Kosovës të ketë takime me qeverinë amerikane pasi qe këto takime do të ishin të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

“Unë do të uroja dhe të dëshiroja që kryeministri i Kosovës të ketë takime me qeverinë amerikane. Takimet e tilla janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë ai.

Tutje, i pyetur edhe për deklaratat e anëtarëve të Lëvizjes së Vetëvendosje se “ka qenë ëndërr e Kurtit të shkojë në ‘Silicon Valley’ në SHBA”, Mustafa ka thënë se këto deklarata nga VV-ja për ëndrrat e Kurtit, sipas tij, shpërfaqin nivelin e pjekurisë individuale të tyre, të cilat nuk i bëjnë mirë as Kurtit.

“Tani, deklaratat nga VV për ëndrrat e Kurtit, shpërfaqin nivelin e pjekurisë individuale të tyre. Nuk i bëjnë mirë as Kurtit. KM në SHBA shkon me protokoll që e menaxhon qeveria amerikane. Nuk i jap vetit të drejtë të besojë se nuk është kështu në këtë rast”, ka përfunduar Mustafa.

Përndryshe, gjatë vizitës së tij që po e zhvillon është takuar edhe me përfaqësues të UBER, përfaqësues të rrjetit social Linkedin dhe me përfaqësues të kompanisë Microsoft.