Musliu: PDK-ja nuk struket dhe nuk shantazhohet nga asnjë lider politik

Deputetja e PDK-së ka thënë se presidenti i ri duhet të zgjidhet duke i respektuar rregullat.

“Unë e kam pasur fatin që të votojë për tre president në Kuvendin e Kosovës. President i pranuar është ai që i merr votat e mjaftueshme, sepse e kemi këtë sistem dhe këtë Kushtetutë që e tregojnë qartë se si zgjidhet presidenti. Dhe kjo duhet të respektohet nga ne si deputetë”, ka thënë ajo në RTK.

Musliu tha se politika kosovare ka hyrë në rreth vicioz sa i përket zgjedhjes së presidenti.

“Disa e kanë thjeshtëzuar kaq shumë këtë duke mos e parë realitetin. Debati nuk është acaruar dhe nuk është hapur ndërmjet AAK-së dhe PDK-së për presidentin”, tha ajo, duke shtuar se ky debat është hapur në mënyrën më të ulët të mundshme.

“Është hapur debat në mënyrën më të ulët dhe më tinzare në momentin e pandemisë dhe kur qytetarët janë në gjendje të rëndë, ne përplasemi nga studio në studio pa pasur fare përgjegjësi dhe kush po e zë karrigën”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Ajo më pas i është kundërpërgjigjur deputetit të AAK-së Rasim Selmanajt, duke i thënë se kjo parti ka krijuar mure.

“S’mundet Rasimi të thërras të tjerët të reflektojnë kur vet është i pakompromis dhe kur keni krijuar mure. Duhet t’i ta bësh hapin e parë. Jemi këtu për shkak të këtyrë njerëzve që e luajnë rolin e bajraktarit”, ka thënë Musliu.

Sipas saj, kandidati për president mund të jetë edhe nga shoqëria civile.

“Ne nuk strukemi e as nuk shantazhohemi nga asnjë lider politik. Haradinaj e ka një problem, këshilltarët e tij e shohin duke gabuar dhe e lënë të gaboj dhe sjellja e tij më së shumti e dëmton atë. Nuk është ai që duhet të përfitonte në fatkeqësinë ndaj vendit të tij dhe popullit të tij. Në Hagë sot është Kosova dhe jo individët”, ka thënë Musliu.