Deputetja

Musliu në SHBA takon Turnerin, e informon për sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, gjatë qëndrimit në SHBA është takuar me kryesuesin e Komisionit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-ve, Mike Turner.

Gjatë takimit është diskutuar për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave, me zotim se do të vazhdohet bashkëpunimi i deritashëm me interes të dyanshëm.

Musliu ka informuar kongresistin Turner lidhur me sfidat e sigurisë, me të cilat po ballafaqohet Kosova së fundmi, por edhe për angazhimin e komisionit që udhëheq për një bashkëpunim sa më të mirë dhe mbikëqyrje sa më profesionale të AKI-së.

“Po ashtu, ajo potencoi bashkëpunimin e shkëlqyer që AKI ka me institucionet relevante në SHBA dhe përkrahjen e deritashme që i është ofruar qoftë AKI-së drejtpërdrejt, qoftë institucioneve tjera të sigurisë në Kosovë. Nga aspekti i legjislacionit, kongresisti Turner u njoftua për procesin e plotësim-ndryshimit të ligjit për veprimtarinë e AKI-së, me të cilin parashihet përmirësimi dhe ngritja e kapaciteteve teknike dhe njerëzore të këtij institucioni”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit.

Lidhur me plotësim- ndryshimin e Ligjit për veprimtarinë e AKI-së, Musliu ka thënë se mirëpret sugjerimet nga praktikat më të mira të komisionit homolog nga kongresi.

“Kongresisti Turner u njoftua nga Musliu edhe me rrethanat aktuale teknike dhe operacionale në të cilat vepron Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe me mungesën e hapësirës adekuate për të ushtruar funksionin, në të cilin do të shkëmbeheshin informatat sensitive dhe me interes për komisionin”, thuhet më tej.

“Kongresisti ka qenë për vizitë në Kosovë në gusht të vitit 2023 (anëtar i komisionit aktual është nga viti 2015, kurse kryesues nga janari i viti 2023), dhe është i njohur me zhvillimet, ndërsa ishte i hapur për bashkëpunim duke ofruar çdo lloj asistence (shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim teknik), në mënyrë që Komisioni për Mbikëqyrje të AKI-së të përfitojë nga praktikat më të mira amerikane”.

Nga aspekti operacional, Turner ka ndarë edhe informatën se komisionet e ndryshme parlamentare (NATO, BE, Mbretëri të Bashkuar etj.), kanë praktika të ndryshme dhe se duhet parë po ashtu se në mos janë më të përshtatshme për rrethanat aktuale në Kosovë.

VIDEO BONUS: Keqpërdorime në njësinë për patentë shoferë në Pejë, Durmishi paralajmëron anulimin e provimeve