Musliu e zhgënjyer me fjalimin e Ilir Metës: Ia mbajti ‘zhagun’ Osmanit, s’e përmendi Hashim Thaçin

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka quajtur zhgënjyes fjalimi i Ilir Metës sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Është zhgënjyese shumë, kur politikanët këtej dhe andej kufirit, të ngulfatur në inate personale shfrytëzojnë rastet ceremoniale dhe emocionale për të mbajtur fjalime të kota në vend që të mendonin fort për të përcjellur mesazhe unifikuese”, ka shkruar Musliu.

Tutje ajo ka thënë se Vjosa Osmani as sot nuk mundi ta lë pas vetës urrejtjen patologjike për ata që historisë sonë ia dhanë vulën më të ndritur, kurse homologu i saj nga Shqipëria ia mbajti ison Vjosës kur bëri krahasime historike të cilat shkurt dhe shqip nuk janë të sakta.

“Ilir Meta i krahasoi dy kryehornjtë tone kombëtar, por nuk i krahasoi dy shpallësit e pavarësisë së vendeve tona. Dhe deshëm apo jo shtrohet pyetja: PSE? Populli i Kosovës sa here kanë qenë në situate të vështira, forcën dhe motivin e kanë gjetur te Shqipëria. Edhe në të kaluarën, edhe sot dhe edhe përgjithmonë Kosova dhe Shqipëria janë NJË! Pas miratimit të rezolutës kundër Dik Martit në Kuvendin e Shqipërisë, nga Ilir Meta sot pritej, nëse jo më shumë, korrektësi”, ka shkruar deputetja Musliu.

Ilir Meta i quajti “ushtarët e lirisë“, por asnjëherë nuk tha ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Athua pse?, pyet Musliu.

“Ilir Meta, deshi apo jo duhet ta din se kur tërheq paralele midis Skënderbeut dhe Adem Jasharit, pendanti i Ismail Qemailit është Hashim Thaçi. Kjo e vërtetë nuk ja mohon dhe as nuk ja shton vlerën askujt. Është thjeshtë një fakt historik. Apo, ndoshta duhet të shndërrohesh në përmendore që politikanët shqiptarë të ta japin hakun?”, ka shkruar në fund deputetja e PDK-së. /Demokracia.com/